Shtyhet seanca në Apel ndaj ish-ministrit Rikalo dhe të tjerëve

  • 06 March 2024 - 12:00
Shtyhet seanca në Apel ndaj ish-ministrit Rikalo dhe të tjerëve

Me kërkesë të mbrojtësit të të akuzuarit Nenad Rikalo, avokatit Miodrag Brklajq, ka dështuar edhe të mërkurën të mbahet seanca në Gjykatën e Apelit, transmeton "Kosova Sot Online .

Në këtë rast, për korrupsion po akuzohet ish-ministri i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Nenad Rikalo, sekretari i përgjithshëm i kësaj ministrie, Kapllan Halimi dhe gjashtë zyrtarët tjerë, Shefki Zeqiri, Ekrem Gjoka, Shkelzen Morina, Leon Thaçi, Lindar Krasniqi dhe Albana Zeqiri.

Kryetarja e kolegjit të Apelit, gjykatësja Afërdita Bytyqi bëri të ditur se avokati Brklajq për arsye shëndetësore nuk ka mundur të marrë pjesë në seancë, duke kërkuar që e njëjta të shtyhet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këto rrethana, seanca e sotme u shty.

Edhe seanca e caktuar për 26 shkurt 2024 kishte dështuar, kjo për shkak të mungesës së anëtarit të kolegjit, gjykatësit Vaton Dërguti.

Ndryshe, më 1 qershor 2023, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte bërë shpalljen e aktgjykimit, ku ish-ministri Rikalo ishte dënuar me 3 vjet burgim, Kapllan Halimi me 2 vjet e 6 muaj burgim kurse gjashtë zyrtarët tjerë, Shefki Zeqiri, Ekrem Gjoka, Shkelzen Morina, Leon Thaçi, Lindar Krasniqi dhe Albana Zeqiri, u liruan nga akuza.

Sipas aktakuzës së përpiluar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 26 dhjetor 2019, të pandehurit Nenad Rikalo, Kapllan Halimi, Shefki Zeqiri dhe Ekrem Gjoka, në bashkëveprim, gjatë vitit 2018, me qëllim që t’iu mundësojnë përfitim në mënyrë të kundërligjshëm kompanive si: konzorciumit “Novus” SH.P.K, për fitimin e grantit “Ndërtimi i tregut modern për prodhime bujqësore” në Prishtinë, konzorciumit “Dhemetra” SH.P.K për fitimin e grantit “Ndërtimi i fabrikës për prodhimin e plehut organit” (duke mos qenë fare në listën e projekteve të cilat mbulohen me financim përmes granteve), koncorziumit “DOO Zubin Potok” për fitimin e grantit “Projekti për ndërtimin e investimeve në objektin për magazinimin dhe ruajtjen e frutave”, si dhe konzorciumit NTP “Arena Engineering” në Pejë, për fitimin e grantit “Prodhimi dhe përpunimi i mishit” në Pejë, me qëllim kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin 04/L-090 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 03/L-098 për Bujqësi dhe Zhvillim Rural neni 5.1, neni 8, neni 13 paragrafi 1.2, neni 4, neni 14.2 Ligji 03/L098 për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, neni 8 dhe 9, rregullores ( QRK) nr. 37/2013, neni 7.1, paragrafi 1.1, Udhëzuesi dhe Doracaku për hartimin e konceptit të dokumenteve nga Zyra e Kryeministrit.

(Kosova Sot Online )