EULEX i quan të pabaza kritikat e subjektit politik serb
Misioni ndërkombëtar i EULEX-it ka bërë një reagim pas një kërkese të Listës Serbe që Bashkimi Evropian të bëjnë analizë të punës së tyre, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Duke i quajtur të pabaza kritikat e subjektit politik serb, nga ky mision thonë se i nënshtrohen rishikimit të rregullt të shteteve anëtare të BE-së.
“Në pajtueshmëri me mandatin aktual që ka, Misioni është duke kryer monitorim të thuktë sistemik dhe tematik të rasteve të caktuara – ku përfshihen edhe krimet e luftës – përgjatë tërë zinxhirit të sistemit të drejtësisë penale, në nivel të policisë, prokurorisë dhe gjyqësorit, si dhe aspekte të sistemit të drejtësisë civile me qëllim të vlerësimit të përputhshmërisë së institucioneve të Kosovës me detyrimet e tyre për të drejtat e njeriut”, thuhet në reagim.
“Në prill 2014, në pajtueshmëri me legjislacionin e Kosovës, kompetenca ekskluzive e EULEX-it për trajtimin e atyre veprave penale është kufizuar për lëndët që ishin në proces, kryesisht. Me këtë nënkuptohet se nga ai moment e tutje, prokurorët dhe gjyqtarët e Kosovës po ashtu u bënë përgjegjës për ndjekjen penale dhe gjykimin e rasteve të reja që ndërlidheshin me krime të luftës. Pas përfundimit të mandatit ekzekutiv të Misionit në sistemin e drejtësisë penale në qershor 2018, Misioni u angazhua në dorëzimin e dosjeve të lëndëve që i kishte në posedim tek autoritetet e Kosovës – ku përfshiheshin dosje policore, prokuroriale dhe gjyqësore. Ai proces i dorëzimit u përmbyll në dhjetor 2018”.
EULEX thotë se respekton në plotësi pavarësinë e autoriteteve gjyqësore dhe parimin e mosndërhyrjes gjatë kryerjes së aktiviteteve monitoruese të tij.
(Kosova Sot Online)