Aliu-opozitës: S’po e kuptoj pse më keni thirr mua kur po flisni për kontrata tjera – s’kam haber për atë punë

  • 14 March 2024 - 12:05
Aliu-opozitës: S’po e kuptoj pse më keni thirr mua kur po flisni për kontrata tjera – s’kam haber për atë punë

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, tha se nuk e kupton pse është ftuar sot për raportim në seancën e jashtëzakonshme ku po shqyrtohet propozim-rezoluta për numrin e madh të kontratave njëburimore të nënshkruara gjatë mandatit të Qeverisë Kurti, transmeton "Kosova Sot Online ".

Ai tha se po ta kishin dijeni më herët se do të flitej edhe për kontrata të tjera, do të ftoheshin edhe ministrat e tjerë, meqë tha se ai nuk mund të përgjigjet për kontrata tjera, përveç atyre të lidhura nga Ministria që e udhëheq.

“Për kontrata njëburimore më keni thirr mua, s’po e kuptoj pse. Po të ish ditë me kohë që do të më thirrni dhe të flisni edhe për kontrata tjera, do e kishim thirr qeverinë komplet dhe këtu do të kishte qenë edhe Ministrja e Ekonomisë, edhe Ministria e Drejtësisë, edhe Ministrja e Arsmit dhe Ministri i Kulturës, të gjithë do të përgjigjeshin. Ju po folni këtu për ta, e po duhet unë me u përgjigj për ta e unë s’kam haber për atë punë. Unë mundem me u përgjigj për pjesën tem, e kur po vjen puna me më përmend mu, ju s’me përmendi se skeni për cka”, ka thënë Aliu.

“Unë s’mund të përgjigjem për ta. Unë i kam 0.8 përqind”, ka deklaruar tutje ai.

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se gjatë Qeverisë Kurti 2, janë nënshkruar mbi 1800 kontrata njëburimore në vlerë mbi 240 milionë euro. Për këto të dhëna ajo i është referuar Komisionit Rregullativ të Prokurorimit Publik. Sipas Bajramit, këto kontrata janë burim i korrupsionit.


“Sipas KRPP, gjatë këtij mandati qeverisës janë nënshkruar mbi 1800 kontrata njëburimore në vlerë mbi 240 milionë euro. Buxheti i shtetit dëmtohet me kontrata njëburimore sepse nuk merret vlerë për para, projekti kushton më shumë dhe kualiteti ka mundësi të mos jetë më i miri. Për më tepër, kjo është ndërhyrje e shtetit në ekonominë e tregut dhe ndikon në dëmtimin e konkurrencës së drejtë e mbi të gjitha këto kontrata janë burim i korrupsionit”, ka deklaruar Bajrami në seancën e Kuvendit ku po shqyrtohet Propozim-rezoluta për numrin e madh të kontratave njëburimore të nënshkruara gjatë mandatit të Qeverisë Kurti.

(Kosova Sot Online )