LDK kërkon nga prokuroria t’i hetojë kontratat njëburimore: 97.5% e tyre janë të kësaj Qeverie

  • 16 March 2024 - 12:11
LDK kërkon nga prokuroria t’i hetojë kontratat njëburimore: 97.5% e tyre janë të kësaj Qeverie

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka akuzuar Qeverinë Kurti për numrin e lartë të kontratave njëburimore. Sipas LDK-së, dikastere të ndryshme kanë dhënë 780 kontrata të tilla në vlerë prej 209 milionë euro, transmeton "Kosova Sot Online ".

Me këtë rast, LDK-ja ka ftuar Prokurorinë e Shtetit që t’i hetojë këto kontrata.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa, ka deklaruar se vlera totale e këtyre kontrata kapin shifrën e 209 milionë euro.

“Vetëm 2,5 % të këtyre kontratave janë si vazhdim i kontratave të mëhershme. 97.5% e tyre janë të reja, të kësaj Qeverie. Këto janë kontratat ku nuk lejohet konkurrenca e lirë, negocimi bëhet në katër sy nga zyrtarët e ministrisë apo vetë ministrat dhe përfaqësuesit e kompanisë. Të enjten, kemi ftuar seancë të jashtëzakonshme për këtë temë. Të zënë ngushtë dhe të paaftë për ballafaqim edhe ministrat e deputetët e VV-së lëshuan sallën”, tha Mustafa në konferencën për media të shtunën.

Mustafa ka paraqitur kontratat që secila ministri i ka nënshkruar, sipas tij.

“Në Ministrinë e Ekonomisë kemi për këtë periudhë 151 kontrata të tilla në vlerë 124 milionë e 606 mijë euro. Në MPB kemi 33 kontrata të dakorduara në katër sy në vlerë 25 milionë e 772 mijë. Në MI kemi 69 kontrata me 10 milionë e 570 mijë. Në MKRS 56 kontrata në vlerë 4 milionë e 763 mijë. Në MD kemi 13 kontrata n vlerë 4 milionë e 95 mijë”, ka deklaruar ai.

Ndërsa, kontrata të tenderëve njëburimorë janë bërë në përgjithësi në nivelin qendror, ka theksuar Mustafa, teksa ka paraqitur edhe këtu shifrat e tyre.

“Në përgjithësi në nivelin qendror kemi trend të kontratave me negocim të drejtpërdrejt. Kontrata për sigurimin e objekteve në vend se të ishin kontrata me konkurrencë të lirë, kemi 74 kontrata në vlerë 9 milionë e 539 mijë. Kontrata për ekspertë apo konsulentë 35 kontrata, 1 milion e 464 mijë. Kontrata për vetura me qira, katër kontrata 434 mijë”, ka theksuar ai.

E anëtari i kryesisë, Visar Azemi, tha se Korporata Energjetike e Kosovës është burimi më i madh i kontratave njëburimore. Sipas tij, aty janë dhënë 106 kontrata të tilla në vlerë prej 100 milionë euro.

“Për tri vite i dha 781 tenderë me negocim të drejtpërdrejtë vlera e të cilëve është plot 209 milionë euro. Pa asnjë procedurë konkurruese e tenderuese iu kanë dhënë tenderë dhe kontrata është interesante se ndër vite ka shkuar duke u rritur kjo vlerë pra duke filluar me 30 milionë euro në vitin e parë, ka ikur vlera në 70 milionë euro në vitin e dytë për të përfunduar në 119 milionë euro në vitin e tretë por ko masakër financiare ka ndodhur me të madhe në KEK. Për ta kuptuar më mirë se këto kontrata njëburimore janë mekanizëm për hajninë nga ky pushtet mjafton të shihni se nga 200 milionë euro që janë vjedh në tenderë me negocim rreth 100 milionë euro janë dhënë vetëm nga KEK-u, pra gjysma e këtyre tenderëve dhe shumës janë dhënë nga KEK-u, pra janë 106 kontrata njëburimore”, u shpreh Azemi.

“Në këtë ndërmarrje kryeshefi i secilës Nagip Krasniqi u arrestua dhe është në paraburgim si i dyshuar për keqpërdorim dhe korrupsion 13 tenderë me negocim direkt janë dhënë vetëm një biznesi. Një biznes tjetër i vetëm veç muhabet pa procedurë e konkurrencë ka përfituar 15 milionë euro vetëm për një tenderë se gjithë kjo është një tentim për ta mbuluar hajninë dhe korrupsionin e kësaj Qeverie e tregon më së miri fakti se kush po përfiton më së miri nga këto tenderë”, tha tutje Azemi

(Kosova Sot Online )