Petkoviq: Insistova në formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe

  • A.P /
  • 19 March 2024 - 20:25
Petkoviq: Insistova në formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe

Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, është deklaruar për takimin trepalësh me kreun e ekipit negociator të Kosovës, Besnik Bislimi dhe të Dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Siç raporton mediumi serb RTS, Petkoviq ka thënë se gjatë takimit ka insistuar në formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, e cila sipas tij, është çështja e parë dhe kryesore që ka të bëjë me të ardhmen e popullit serb.

“Bislimi insistoi në njëfarë optimizimi të Marrëveshjes së Ohrit, ne në formimin e Asociacionit, sepse Beogradi dhe Prishtina dhe BE-ja e nënshkruan. E shihni çfarë ndodh kur nuk ka Asociacion. Mos të themi se serbët po largohen nga Kosova, çfarë po bëhet për zgjedhjet në veri, kemi biseduar për gjithçka në detaje dhe se zgjidhjet duhet të zgjidhen me dialog”, ka thënë ai Petkoviq.

Po ashtu, Petkoviq ka folur edhe për çështjen e dinarit.

“Kemi diskutuar edhe për incidentet e shumta, mbylljen e institucioneve serbe, klinikën serbe në Prishtinë, sjelljen e Policisë ndaj serbëve, pozitën shumë të rëndë të serbëve dhe dekretin për dinarin, i cili prek edhe serbët që marrin përfitime sociale, si institucionet tona”, citohet të ketë thënë Petkoviq.

(Kosova Sot Online)