Deklarohet Hovenier: Me rëndësi të ndryshohet mënyra e zbatimit të vendimit për dinarin – bisedimet vazhdojnë, mund të gjendet zgjidhja

  • 20 March 2024 - 12:20
Deklarohet Hovenier: Me rëndësi të ndryshohet mënyra e zbatimit të vendimit për dinarin – bisedimet vazhdojnë, mund të gjendet zgjidhja

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier doli më optimist nga takimi i sotëm me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, transmeton "Kosova Sot Online ".

Jashtë ndërtesë së Qeverisë, Hovenier tha se dje në takimin e kryenegociatorëve në Bruksel pati “disa shenja pozitive” për ta zgjidhur çështjen e dinarit.

Hovenier kujtoi se e respektojnë vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës, por përsëriti se janë të shqetësuar për ndikimin që mund të ketë rregullorja e re në komunitetin serb.

“Siç tha kolegu im dje, jemi të shqetësuar për atë se kjo mund të ndikojë në popullatën e cenueshme, posaqërisht komunitetin serb të Kosovës dhe mendoj që është me rëndësi që të ndryshohet mënyra e zbatimit dhe bisedimet tona për këtë çështje vazhdojnë”, tha ambasadori amerikan.

Hovenier tha se ka mundësi për t’u gjendur një zgjidhje.

“Është mirë të shohim që ka mundësi që të dy palët ofrojnë rrugëzgjidhje se si mund të bëhet kjo, si dhe përgjegjësitë e zotit Lajçak”, tha ai.

(Kosova Sot Online )