Blinken: Ja pse ofensiva në Rafah do të izolonte më tej Izraelin
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha të premten se një ofensivë në qytetin jugor të Gazës, Rafah, paraqet rrezikun për një “izolim të mëtejshëm” të Izraelit dhe do të dëmtonte sigurinë e tij afatgjatë, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Duke folur para se të largohej nga Izraeli, zoti Blinken u tha gazetarëve se kishte zhvilluar “bisedime të hapura”, duke iu referuar takimeve me zyrtarët e vendit, përfshirë kryeministrin Benjamin Netanyahu.
Një operacion tokësor ushtarak në Rafah “rrezikon të shkaktojë vdekjen e më shumë civilëve. Ai rrezikon të shkaktojë më shumë kaos me ndihmën humanitare. Rrezikon të izolojë më tej Izraelin në botë dhe të rrezikojë sigurinë dhe pozitën e tij afatgjatë,” tha zoti Blinken.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken i bëri komentet pasi kryeministri Benjamin Netanjahu e bëri të qartë pas takimit me kryediplomatin amerikan se Izraeli do ta ndërmerrte operacionin kundër Hamasit në Rafah, qytetin më jugor në Gazë, edhe pa mbështetjen amerikane.
Tendosja në lidhjet midis Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit është bërë gjithnjë e më publike. Presidenti Joe Biden e ka quajtur operacionin ushtarak të Izraelit në Gazë “të tepruar” duke përmendur pasojat e mëdha në jetët e civilëve.
Në takimin që mbajti të premtën me kryeministrin izraelit Netanjahu, zoti Blinken theksoi nevojën për të mbrojtur civilët në Gazë dhe për të shtuar ndihmat humanitare përmes rrugëve tokësore dhe detare, tha Departamenti i Shtetit.
Sekretari Blinken, gjatë takimit kokë me kokë me Kryeministrin Netanyahu, diskutoi gjithashtu përpjekjet për të arritur një marrëveshje për armëpushim prej të paktën gjashtë javësh që do të siguronte lirimin e pengjeve dhe do të mundësonte rritje të ndihmës humanitare, tha në një deklaratë zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller.
Kjo është vizita e gjashtë e diplomatit të lartë amerikan në Lindjen e Mesme që nga fillimi i luftës më 7 tetor.
Kryeministri Benjamin Netanyahu i tha kryediplomatit amerikan Antony Blinken të premten se Izraeli është i përgatitur të vazhdojë luftën e tij kundër Hamasit i vetëm.
Zoti Netanyahu deklaroi se i tha Sekretarit Blinken se vlerësonte mbështetjen e SHBA-së në luftën e saj kundër Hamasit dhe se Izraeli e pranon se duhet të mbrojë civilët. Megjithatë, ai përsëriti se Izraeli do të vazhdojë me planet për të filluar operacionin në Rafah, ku më shumë se një milion banorë të Gazës po banojnë në streha të improvizuara.
“Unë thashë gjithashtu se nuk kemi asnjë mënyrë për ta mposhtur Hamasin pa shkuar në Rafah dhe pa zhdukur pjesën tjetër të batalioneve atje. I thashë se shpresoj ta bëjmë këtë me mbështetjen e SHBA-së, por nëse duhet, ne do ta bëjmë këtë edhe vetëm”, tha zoti Netanyahu në një deklaratë për gazetarët.
Izraeli thotë se Rafah është bastioni i fundit për militantët e Hamasit dhe se ka një plan për të evakuuar civilët përpara një sulmi. Uashingtoni thotë se një sulm tokësor do të ishte një “gabim” dhe do të shkaktonte shumë dëm për ata që janë zhvendosur atje.
Izraeli pretendoi të premten se kishte vrarë ose kapur qindra luftëtarë të Hamasit në një operacion pesë-ditor në kompleksin spitalor Al Shifa, një nga të vetmet objekte mjekësore që funksionon pjesërisht në veri. Hamasi dhe stafi mjekësor mohojnë se luftëtarët ishin të pranishëm atje.
Lufta filloi kur një sulm terrorist në jug të Izraelit nga luftëtarët e Hamasit, shkaktoi vrasjen e 1200 personave. Hamasi mori gjithashtu 253 pengje. Sipas të dhënave të autoriteteve të Hamasit, të pakonfirmuara nga burime të pavarura, mbi 32,000 palestinezë janë vrarë në bombardimet e mëpasshme izraelite. Besohet se ka më shumë të vdekur që gjenden nën rrënoja, thonë autoritetet shëndetësore të Gazës.
Përpara takimit, Sekretari Blinken kishte thënë se do ta nxiste Kryeministrin Netanyahu të ndërmarrë hapa urgjentë për të lejuar më shumë ndihmë në territorin me popullsi të dendur.
Zyrtarët amerikanë thonë se numri i dërgesave të ndihmave përmes tokës duhet të rritet shpejt dhe se ndihma duhet të mbahet për një periudhë të gjatë.
(Kosova Sot Online)