Një person plagoset me armë zjarri në Prishtinë
Një person është plagosur sot me armë zjarri në Prishtinë, përcjell “Kosova Sot Online”.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Ahmeti tha se hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për arrestimin e personave të dyshuar ( të cilët janë identifikuar).
“Sot rreth orës 13:40 policia ka marrë informatën për një plagosje me armë zjarri të ndodhur në rrugën “Haxhi Zeka”në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Bazuar në të dhënat fillestare dyshohet se me armë zjarri është plagosur një person. Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për arrestimin e personave të dyshuar ( të cilët janë identifikuar) si dhe ndriçimin e plotë të rastit”, ka thënë Ahmeti.
(Kosova Sot Online)