Rusia nuk ndalet, sërish kërkon debat në Këshillin e Sigurimit

  • A.P /
  • 28 March 2024 - 18:53
Rusia nuk ndalet, sërish kërkon debat në Këshillin e Sigurimit

Rusia është vënë në përpjekje për një seancë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku do të diskutohej rreth fushatës së bombardimeve të NATO-s kundër forcave serbe në vitin 1999, që i dhanë fund luftës në Kosovë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Pas dështimit të së hënës për një seancë të tillë, mbajtja e së cilës u pamundësua meqë 12 vende anëtare nuk votuan për kërkesën e Moskës, Rusia sërish shtroi kërkesë për debat me temën "ruajtja e paqes dhe qëndrueshmërisë ndërkombëtare".

"Nëse mendonit se diplomacia ruse në OKB thjesht do të dorëzohej, atëherë keni gabuar. Ky nuk është stili ynë. Ne kërkuam edhe një herë një seancë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për agresionin e NATO-s kundër Jugosllavisë. Pas kundërvënies së fortë të kundërshtarëve tanë, ia dolëm që kryesuesi nga Japonia ta caktojë seancën për të enjten në Nju Jork”, shkroi në rrjetin X zëvendës ambasadori rus në OKB, Dmitry Polyansky.

Por, mundësitë që seanca të mbahet duken të pakta. Hapja e debatit kërkon votë procedurale dhe për t’u miratuar rendi i duhet mbështetja e 9 nga 15 vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit.


(Kosova Sot Online)