Hagë: Edhe gjykimi i tretë drejt fundit, së shpejti jepen fjalët finale në gjykimin e Pjetër Shalës

  • G.g /
  • 01 April 2024 - 11:51
Hagë: Edhe gjykimi i tretë drejt fundit, së shpejti jepen fjalët finale në gjykimin e Pjetër Shalës

Procedurat në Dhomat e Specializuara të Hagës po vazhdojnë të zhvillohen. Përveç vonesës që është më e gjatë në rastin e krerëve të UÇK-së, gjykimet e tjera duket se po ecin shpejt.

Pas rastit të Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt, atij të Salih Mustafës, tash edhe gjykimi në rastin ndaj Pjetër Shalës po shkon drejt fundit.

Bazuar në kalendarin e Gjykatës Speciale, më 15 prill do të fillojë dhënia e fjalëve përfundimtare në gjykimin ndaj ‘Ujkut’.

Specialja ka rezervuar pesë ditë për fjalët përfundimtare, kurse më pas maksimum deri në 90 ditë është koha e lejuar që të shpallet vendimi i shkallës së parë.

Mbrojtja e Shalës ka kërkuar 3 orë e gjysmë kohë për ta dhënë fjalën përfundimtare, kurse në seancë pritet të mbajë një fjalim edhe Pjetër Shala.

Prokuroria e Specializuar në anën tjetër ka kërkuar nga 4 deri në 5 orë për ta dhënë fjalën e saj të fundit. Kurse, avokati i viktimave do të mbajë fjalë finale deri në 1 orë e 15 minuta.

Për çka akuzohet Shala?

Pjetër Shala ishte arrestuar në Belgjikë më 16 mars 2021, kurse më 15 prill u dërgua në Qendrën e Paraburgimit të Hagës.

Kjo për shkak të konfirmit të aktakuzës për krime lufte ndaj tij.

“Krimet për të cilat akuzohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej UÇK-së. Sipas aktakuzës, viktimat e këtyre krimeve ishin të gjithë shtetas të RFJ-së dhe persona të cilët nuk merrnin pjesë aktivisht në luftime”, thuhej në njoftimin e Speciales.

Krimet që rëndojnë mbi shalën janë: Ndalim arbitrar, trajtim mizor, torture dhe vrasje e paligjshme.

Pjesa më e madhe e gjykimit në këtë rast u zhvillua e mbyllur, sidomos ajo me dëshmitarët e Prokurorisë.

Gjykimet e para

Gjykata Speciale deri më tash ka shpallur dy vendime përfundimtare: njëri në rastin ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt e tjetri ndaj Salih Mustafës.

Aktgjykimi ndaj Gucatit e Haradinajt u shpall më 18 maj 2022: Trupi Gjykues shpalli të dy të akuzuarit fajtorë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim gjatë procedurës penale dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe dënoi secilin të akuzuar me nga katër vjet e gjysmë burgim, ku të llogaritet koha e kaluar në paraburgim deri tani, dhe me gjobë prej 100 eurosh për secilin.

Ata tash po mbrohen në liri.

Kurse, Salih Mustafa me vendimin e shkallës së parë u dënua me 26 vjet burg. Kurse, në Apel atij dënimi iu ulë në 22 vjet burg. Aktualisht, procesi është në Gjykatën Supreme të Hagës.

(Kosova Sot Online)