Lajçaku pret që çështja e dinarit të zgjidhet në takimin e kësaj jave në Bruksel
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka deklaruar se në takimin e kësaj jave mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel pret të gjendet një zgjidhje për çështjen e Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, që ndalon dinarin.
Ai ka shkruar në Facebook se do të vijojnë diskutimet e lëna të enjten, derisa takimin e fundit e konsideroi të dobishëm.
“Java para pushimit të Pashkëve ka qenë një javë e shkurtër edhe pse intensive. Të hënën prita në Bruksel kryenegociatorët e Kosovës, zëvendëskryeministrin Bislimi dhe të Serbisë, Petkovic, për të vazhduar diskutimet tona për gjetjen e një zgjidhjeje të zbatueshme për njerëzit e prekur nga vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës.
Në përgjithësi, takimi ka qenë i dobishëm. Të dyja palët patën mundësinë t’i shpjegojnë idetë dhe qëndrimet e tyre. Në fund u konkludua se do të duhej edhe një tjetër takim. Palët do të kthehen në Bruksel këtë javë dhe shpresojmë se do të jemi në gjendje të kapërcejmë hendekun e mbetur”, është shprehur ai.
(Kosova Sot Online)