Bajrami: Rryma u shtrenjtua mbi 100% dhe u lirua vetëm 8%
Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka shkruar se nuk do të vërehet pothuajse nga askush vendimi i sotëm i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për t’i ulur tarifat për ata që shpenzojnë mbi 800 kWh dhe 3% për bizneset, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Ajo shkroi se ZRRE e ka shtrenjtuar rrymën dy herë gjatë mandatit të kësaj qeverie. Tha se për tri vjet rryma u shtrenjtua mbi 100%, ndërsa u lirua vetëm 8%.
“Çmimi i energjisë elektrike në tri vitet e fundit ngritje mbi 100%, ulje vetëm 8%. Gjatë mandati të Qeverisë Kurti dhe me bekimin e Kurtit dhe VV-së, Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka ngritur dy herë çmimin e energjisë elektrike”, shkroi Bajrami.
“Herën e parë çmimi i energjisë është ngritë për konsum familjar dhe atë tarifa e lartë është ngritë për 104% dhe tarifa e ulët për 85% (për shpenzimin mbi 800 KWh), ndërsa herën e dytë çmimi i energjisë elektrike është ngritë për 15% për të gjithë shpenzuesit”, shtoi ajo.
Deputetja shkroi edhe se arsyet për shtrenjtimin e rrymës “sot janë inekzistente”.
“Sot, Zyra e Rregullatorit të Energjisë paska vendosë të ta ulë çmimin për 8% , ulje kjo që nuk do të vërehet pothuajse nga askush. Dmth. ngritje mbi 100% dhe ulje vetëm 8% , edhepse arsyet që janë përdorë kur është ngritë çmimi i energjisë sot janë inekzistente”, shkroi Bajrami.
(Kosova Sot Online)