Dushan Janjiç zbulon skenarin e krimit : Banjska, skenari serb i Wagnerit në Rusi

  • 04 April 2024 - 09:07
Dushan Janjiç zbulon skenarin e krimit : Banjska, skenari serb i Wagnerit në Rusi

Sinjalet që kanë ardhur nga Serbia kohët e fundit kanë ushqyer frikën për një përshkallëzim të rrezikshëm të situatës në Veriun e Kosovës. Pamjet që tregojnë forcat serbe në kufi, Vuçiçi që sugjeron një sulm të mundshëm, ushtria serbe që fuqizohet më shumë me ndihmën e Rusisë dhe Kinës, analisti dhe publicisti serb Dushan Janjiç i komentoi në një intervistë për Rosalba Bejdon, në “Ditari i Kosovës”, transmeton "Kosova Sot Online".

Mesazhe të forta po vijnë nga Serbia. Disa deklarata të presidentit Vuçiç po shihen si kërcënime për luftë. Si një njohësh i çështjeve të brendshme a mendoni se ka vend shqetësim, apo janë thjesht deklarata politike?

Në përgjithësi, në dy vitet e fundit Vuçiç, partia e tij dhe ai vetë si president, po menaxhon njëlloj fushate sigurie dhe propagande. Në realitet, ai në thelb po përpiqet të krijojë një perceptim në mesin e njerëzve në Serbi se janë të rrethuar nga armiqtë dhe se në thelb se vetëm ai mund të na shpëtojë. Kjo është e njohur nga historia. Gjithsesi, deklarata e fundit, dhe gjithashtu aktet , si ceremonitë përkujtimore për viktimat e viteve nëntëdhjetë, duke përfshirë bombardimet e NATO-s, janë padyshim të orientuara kundër perëndimit dhe në thelb përpiqen t’u tregojnë njerëzve se ai duhet të luajë vetë në të ashtuquajturën lojë të madhe politike. Fatkeqësisht, mendoj se realiteti është shumë larg kësaj dhe kjo është shenjë e humbjes së kapacitetit të tij për të përballuar dhe menaxhuar krizën në Serbi. Kriza politike dhe kriza politike e sigurisë në marrëdhëniet me Kosovën. Fokusi dhe prioriteti i tij është kryesisht politika e brendshme.

Si i shihni marrëdhëniet mes Serbisë dhe Rusisë në kontekstin gjeopolitik, ku Moska fajësohet për nxitje të destabilitetit në Ballkan?

Hedhim një vështrim në panoramën e madhe gjeopolitike. Serbia është lojtari i vetëm i vogël, por i rëndësishëm për Ballkanin Perëndimor nga pikëpamja e Rusisë. Por Kremlini nuk i beson Vuçiçit. Gjatë viteve të fundit ai nuk ka rezultuar si një njeri që jep rezultate. Ata po përdorin të gjitha burimet për ta kontrolluar atë veçanërisht duke përfshirë borxhet e mëdha në sektorin energjetik që Serbia ka ndaj Gazprom, Rosneft dhe të tjerëve, plus ndikimin vërtet të fortë diplomatik dhe të shërbimit sekret jo vetëm në partinë drejtuese, por edhe në shoqëri, e quajtur lufta hibride… Perceptimi im është se Rusia ka luajtur me Vuçiçin përgjatë 9 muajve të fundit… Pse nëntë? Sepse mendoj se ato po shpresojnë të arrijnë disa marrëveshje me shtetet për Gazën dhe Ukrainën. Dhe në këtë lojë ata nuk do të rrezikojnë me Serbinë, dhe veçanërisht kjo është e lidhur me Kosovën dhe Shqipërinë, sepse Serbia ka ndikim në korridorin e 8 dhe Detin e Zi. Në thelb Rusia nuk do të rrezikojë në këtë lëvizje, sepse Rusia është gjithashtu e shqetësuar për ardhjen e fuqisë kineze. Synimet e Moskës për të luajtur me Vuçiç janë të kufizuara dhe synojnë të gjejnë një pasues apo dikë në opozitë që do të promovojnë më mirë interesat e Rusisë.

Serbia vjen tek ne kryesisht përmes deklaratave politike por dimë shumë pak mbi atë qe mendon populli serb, atë që mendon opozita. Cili është perceptimi atje për marrëdhënien me Kosovën, Be dhe Rusinë?

E dini, jam i ri, por kam kujtesë shumë të mirë. Fatkeqësisht, opozita sot po luan të njëjtën lojë si në periudhën e Gjingjiç, që do të thotë pas qeverisë së Millosheviçit. Në thelb, ata nuk po diskutojnë publikisht qëndrimet e tyre ndaj Kosovës dhe çështjes rajonale. Diçka që unë mendoj se është gabim. Por në thelb atyre u pëlqen ti lënë hapësirën e nevojshme Vuçiçit për ti vënë kapakun historisë, për të mposhtur palën tjetër. Sepse është e vërtetë që tani në opinionin publik të Serbisë, të gjithë janë duke menduar se Kurti po përfiton nga kriza, se në thelb Vuçiç po lëshon pe në gjithçka, se do ta njohë Kosovën e kështu me radhë. Ata e dinë shumë mirë se asnjë integrim në BE nuk do të ndodhë pa normalizimin apo ndonjë model tjetër të ngjashëm me Kosovën. Por në këtë moment ata nuk janë gati të pranojnë se duan normalizimin. Tani po flasin për politika të gabuara të Vuçiç, se është ai që po humb gjithçka, përfshirë edhe Kosovën.

Presidenti Vuçiq flet për rritjen e presionit ndërkombëtar ndaj Serbisë dhe paralajmëron për ditë të vështira në vazhdim. Por në Kosovë ekziston përshtypja se SHBA-ja dhe BE-ja po tregohen të butë ndaj Serbisë. Çfarë mendoni ju?

Vuçiç ka dhënë disa intervista publike gjatë së cilave u përpoq të na paralajmëronte kundër të ashtuquajturës, luftë hibride kundër tij. Ky ishte interpretimi i tij, ky ishte diskutimi i tij me James O’Brien dhe të tjerë. Në thelb ajo që tha ishte se jemi në mes të luftës hibride kundër Serbisë dhe atij, dhe se dy kërkesa po vijnë nga perëndimi. E para është njohja de facto dhe de juro e pavarësisë së Kosovës, çka e interpretoi si fshirje te Serbisë nga harta. Dhe qëllimi, sipas Vuçiç, është që të sillen në pushtet të ashtuquajturat regjime properëndimore, regjime marionetash. Kjo është historia e tij. Korniza e përgjithshme është se jemi në mesin e luftës speciale kundër Serbisë dhe duhet ta mbrojmë atë… Kush do ta garantojë fitoren në atë luftë? Ky jam unë, garanton Vuçiç. Dhe në thelb ju duhet të jeni të qetë. “Unë do të menaxhoj gjithçka”… Ndoshta ka funksionuar më parë, por tani kjo nuk do të funksionojë më sepse shumë gjëra kanë ndodhur në dy vitet e fundit dhe të gjitha kanë treguar para opinionit publik se Serbia nuk është e gatshme të menaxhojë asnjë luftë. Në fakt vendi është shumë i rrezikuar nga lidhjet mes krimit të organizuar, grupeve kriminale dhe zyrtarëve të lartë të qeverisë. Madje Serbia mund të përballet me një luftë të  brendshme civile në të cilën grupet e krimit të organizuar dhe politikanët mund të pushtojnë një pjesë të territoreve në një farë mënyre. Sulmi në Banjska tregoi se kur krimi i organizuar dhe sulmet terroriste kanë mbështetje në qeveri, janë aq afër të qenit një lojë mjaft e njohur… Është skenari serb i mercenarëve të Wagnerit, ku janë të njohura lidhjet mes zyrtarëve dhe krimit të organizuar.  Unë mendoj se ai personalisht është në telashe serioze , është konfuz, por nuk është i lirë ti marrë vendimet vetë.  Opinioni publik duhet të ngrihet dhe të mos e votojë më në zgjedhje…

A mendoni se ka ndonjë shans që Serbia ta njohë Kosovën?

Mirë kjo nuk është një pyetje miliarda dollarëshe. Është më e thjeshtë. Njohja e Kosovës, njohja formale, sipas përvojës sime personale e politike lidhur me çështjen e Kosovës, në thelb do të vijë si rezultat përfundimtar i procesit të normalizimit apo ndonjë modeli tjetër përmes dialogut. Por dialogu nuk mund të zgjasë pa asnjë kufi. Tani jemi kaq afër këtij momentumi dhe mendoj se mundësia është, por për të qenë i sinqertë mendoj se vetëm Uashingtoni mund të marrë vendime.  Në thelb, normalizimi është një projekt i mirë që po funksionon me këtë mantra, por është afatgjatë. Tani ne po përballemi me shumë elemente që thonë se  paqja nuk është duke e stabilizuar Serbinë dhe na duhet një lloj mini-Dejton, sepse ne e njohim luftën, por kemi nevojë për të stabilizuar paqen. Dhe në këtë kuadër, nën ndërmjetësimin e OKB duhet të merren disa vendime të rëndësishme; mbi paketën e sigurisë, garanci për Kosovën dhe Serbinë, komunikim në nivelet e sigurisë mes institucioneve të Kosovës dhe gjithashtu një udhërrëfyes se si të përmbyllen çështjet e tjera. Procesi i dialogut të normalizimit duhet të përfundojë sepse tani ai është afër diskreditimit. /A2cnn

(Kosova Sot Online )