Tahiri: Albini t’i përgjigjet ftesës që zgjedhjet të mbahen në qershor
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri nuk deshi t’i komentojë sondazhet e publikuara së fundmi, por përsëriti thirrjen për zgjedhje të parakohshme, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
“Sondazhet janë sondazhe, por zgjedhjet janë ato që përcaktojnë fatin e një qeverie. Ne i bëjmë thirrje edhe kryeministrit Kurti edhe qeverisë së Lëvizjes Vetëvendosje që të mos frikësohen dhe t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së Partisë Demokratike ashtu siç kemi kërkuar që më 9 qershor të organizohen zgjedhjet e parakohshme në Republikën e Kosovës”, tha Tahiri në një konferencë për media.
Deputeti i PDK-së tha se zgjedhjet nevojiten “për nxjerrjen e vendit nga kriza” dhe nga sanksionet.
“Ne nuk kemi as edhe një dyshim, po them as edhe një dyshim: mandatari i cili do ta themelojë qeverinë e re të Republikës së Kosovës do të jetë mandatari i Partisë Demokratike, zoti Bedri Hamza”, tha Tahiri.
“Ne konsiderojmë që vendimi ynë është që t’i propozojmë vendit që të shkojmë në zgjedhje më 9 qershor. Është vendim i drejtë, është një vendim i cili çon në krijimin e një qeverie të re, dhe ajo e qeveri e drejtuar nga kryeministri Bedri Hamza do ta nxjerrë vendin nga kjo krizë ekonomike e cila e ka kapluar vendin tonë dhe në anën tjetër, do të na nxjerrë nga sanksionet që na janë vënë nga Bashkimi Europian”, shtoi ai.
(Kosova Sot Online)