Kryeministri Kurti në Kaçanik: Nderojmë kujtimin e burrave e grave që lanë pas trashëgimi të pashembullt të dashurisë për atdheun

  • 09 April 2024 - 12:07
Kryeministri Kurti në Kaçanik: Nderojmë kujtimin e burrave e grave që lanë pas trashëgimi të pashembullt të dashurisë për atdheun

Kryeministri Kurti sot ka shkuar në Kaçanik “për të nderuar kujtimin e burrave e grave që lanë pas trashëgimi të pashembullt të guximit, qëndresës dhe dashurisë për atdheun”, transmeton "Kosova Sot Online ".

“Në këtë datë, nderojmë 28 dëshmorë dhe 32 viktima civile, martirë të vrarë në Rakoc dhe Lagje të Re. Me përkushtimin për ta ruajtur trashëgiminë e luftës çlirimtare, duke nderuar sakrificat e popullit të Kosovës për liri, punojmë me vendosmëri për një Kosovë të paqes, të drejtësisë dhe përparimit.”

Ai ka shkruar se Nebih Livoreka ka qenë 105 vjeç kur u vra në Rakoc të Kaçanikut dhe se ai ishte në mesi e 32 civilëve që u vranë.

“Nebih Livoreka i kishte 105 vjet kur e vranë në Rakoc të Kaçanikut. Ai ishte në mesin e 32 civilëve që u vranë atë ditë. Në betejë me forcat armike të Serbisë që kishin sulmuar popullsinë shqiptare ranë heroikisht 28 dëshmorë të UÇK-së. Sot u mbushën 25 vjet. Në mëngjesin e 9 prillit të 1999, Kaçaniku ishte zgjuar i rrethuar nga forca të mëdha të ushtrisë dhe policisë së Serbisë, që sulmonin popullatën civile, duke granatuar nga të gjitha anët.”

Kurti ka shtuar se në mbrojtje të tyre dolën ushtarët e UÇK’së.

Ai ka thënë se në Betejën e Rakocit dhe Betejën e Lagjes së Re u zhvilluan luftime të ashpra dhe në mbrojtje të popullatës civile ranë 28 dëshmorë, përfshirë katër gra dëshmore.

“Në mbrojtje të tyre dolën ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke u përballur me forcat e armatosura serbe. Në Betejën e Rakocit dhe Betejën e Lagjes së Re, u zhvilluan luftime të ashpra. Në mbrojtje të popullatës civile ranë 28 dëshmorë. Në mesin e tyre edhe katër gra dëshmore: Emsale Frangu, Jehona Raka, Lumnije Raka dhe Mukadeze Lika-Muhaxheri. Sikurse që doli në ballë të luftimeve në prill 1999, ashtu në maj 1998 Mukadezja ishte në ballë të protestave kundër dhunës serbe në Kaçanik.”

(Kosova Sot Online )