Anëtari i KQZ’së: Kamerat do të vendosen në anën e kundërt të kabinave të votimit
Anëtari i KQZ’së nga PDK, Arianit Elshani, ka prezantuar procedurën për përdorimin e kamerave në qendrat e votimit në votimin e 21 prillit, përcjell “Kosova Sot Online”.
Elshani ka thënë se kamerat do të vendosen në anën e kundër të kabinave të votimit.
“Këshilli për Operacione Zgjedhore po ashtu ka shqyrtuar edhe procedurën për regjistrimin me kamera vëzhguese në vendvotime. Kjo procedurë vjen si rezultat i miratimit të ndryshimeve në Ligjin për Zgjedhje të Përgjithshme si dhe rregullave zgjedhore të miratuara së fundi nga KQZ të cilat parashohin rritjen e transparencës brenda vendvotimeve dhe monitorimin dhe uljen e parregullsive që ndodhin në vendvotime. Në të kaluarën kemi huazuar kamera nga Shqipëria për procesin e monitorimit në QNR, kësaj radhe janë huazuar kamera për procesin e vendvotimit dhe këto kamera do të përdoren në vendvotime sipas rregulloreve dhe Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Të rregulluar këtu në procedurë kemi të gjithë procesin se si do të bëhet regjistrimi në vendvotime, pra ato do të vendosen në anën e kundërt të kabinave të votimit, pra nuk do të cenohet fshehtësia e votës së votuesve por do të monitorohet i gjithë aktiviteti që zhvillohet nga anëtarët e këshillit të vendvotimit, në këtë rast nga komisionerët dhe vëzhguesit në vendvotim.”
(Kosova Sot Online)