Kryesuesi i Radhës i OSBE’së viziton Kosovën të enjten

  • E.k /
  • 09 April 2024 - 14:48
Kryesuesi i Radhës i OSBE’së viziton Kosovën të enjten

Kryesuesi i Radhës i OSBE-së, Ministri i Punëve të Jashtme, Çështjeve Evropiane dhe Tregtisë së Maltës, Ian Borg, do ta vizitojë Kosovën më 11 prill për të diskutuar rreth angazhimit të OSBE-së dhe për t’u takuar me liderët politikë, përcjell “Kosova Sot Online”.

Sipas njoftimit, Borg do të takohet me Presidenten Vjosa Osmani-Sadriu, Kryeministrin Albin Kurti dhe Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla-Schëarz.

Ai gjithashtu do të mbajë takime me Shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, dhe stafin e misionit, dhe do të takoj pjesëmarrëse nga Akademia e Dialogut e OSBE-së.

“Kryesuesi Borg do të udhëtojë në Qendrën Rajonale të OSBE-së në Gjilan për t’u takuar me organizatat lokale të shoqërisë civile dhe përfaqësuesit e komuniteteve nga komuna të ndryshme për të diskutuar rreth të drejtave të komuniteteve, angazhimin e të rinjve dhe fuqizimin e grave. Ai do të takohet edhe me kryetarët e komunave që përfaqësojnë komunitete të ndryshme për të diskutuar lidhur me bashkëpunimin ndër-komunal të mbështetur nga OSBE. Ministri Borg do të takohet edhe me Peshkopin Teodosije nga Kisha Ortodokse Serbe”, thuhet në njoftim.

(Kosova Sot Online)