OSBE: Në dorën e votuesve nëse duan apo jo të votojnë për shkarkimin e kryetarëve
Misioni i OSBE’së në Kosovë ka lëshuar një deklaratë lidhur me vendimin e Listës Serbe për të bojkotuar votimin e 21 prillit në katër komunat veriore, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
OSBE ka thënë se këto deklarata janë zhgënjyese dhe i dekurajojnë votuesit të marrin pjesë në votim.
Mirëpo, sipas OSBE’së është në dorën e votuesve nëse duan apo jo të votojnë për shkarkimin e kryetarëve.
“Pavarësisht deklaratave zhgënjyese partiake politike që i ka dekurajuar votuesit të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike, do të jetë në dorën e votuesve në secilën komunë të vendosin nëse duan apo jo të votojnë për shkarkimin e kryetarëve më 21 prill. Pjesëmarrja e të gjitha komuniteteve në procese demokratike dhe institucione është thelbësore në lehtësimin e normalizimit”, thuhet në deklaratën e OSBE-së.
OSBE ka folur edhe për vendimin e KQZ’së për vendosjen e kamerave nëpër vendvotime, duke e këshilluar KQZ’në që të shmangë “qasjet inovative, si përdorimi i kamerave në vendvotime, të cilat do të kërkonin shqyrtim më të plotë dhe konsultim të duhur”.
(Kosova Sot Online)