Rama sot do të takohet me presidentin francez, Macron

  • 12 April 2024 - 08:04
Rama sot do të takohet me presidentin francez, Macron

Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë këtë të premte (12 prill) një takim “tetë a tetë” me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, transmeton "Kosova Sot Online ".

Në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Francë, Rama do të pritet sot në orën 12:30 në një ceremoni zyrtare, e më pas në orën 13.00, do të mbërrijë në Pallatin Elysee, ku do të mikpritet nga Presidenti Makron me të cilin do të mbajë edhe një deklaratë për shtyp.

Më pas, në praninë e Kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit francez Macron do të nënshkruhen disa marrëveshje ndërqeveritare dhe memorandume mirëkuptimi mes vendeve.

Në orën 14.45, Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti Francez Macron do të zhvillojnë një takim kokë më kokë mes tyre.

Axhenda do të vijojë në orën 16.00 me vizitën dhe takimet në STATION F, inkubatori më i madh në botë i startup-eve dhe inovacionit, si dhe me mbledhjen inauguruese të Këshillit të Inovacionit Francë-Shqipëri –CIFA, ku do të marrë pjesë edhe Sekretarja franceze e Shtetit për Industrinë Numerike, përfaqësues të ministrive franceze të Jashtme dhe të Ekonomisë, si edhe operatorë të ndryshëm franceze e shqiptarë në fushën e inovacionit.

Së bashku me Kryeministrin Rama pjesë e delegacionit qeveritar do të jenë Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, Ministrja  e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhe, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor Arbjan Mazniku, si dhe Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni.

(Kosova Sot Online )