Një muaj paraburgim për të dyshuarin për vrasjen e ish-gruas së tij 21-vjeçare në Ferizaj
Gjykata Themelore e Ferizajt ia ka caktuar një muaj paraburgim Valon Aliut, i dyshuar për vrasjen e 21-vjeçares dhe plagosjen e vëllait të saj në Ferizaj, transmeton "Kosova Sot Online".
“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari I procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar, se me datë 12 Prill 2024, rreth orës 14:40, i pandehuri brenda zyrës së Qendrës për Punë Sociale në rr.”Vëllezërit Gërvalla”, në Ferizaj, me dashje ka privuar nga jeta të ndjerën E.C, me të cilën ka bashkëjetuar duke e goditur disa herë me armë plumba në kokë, ndërsa ka shtënë edhe në drejtim të miturit D.C (vëllai i të ndjerës) duke e plagosur në krahë. Po ashtu ka vlerësuar se i pandehuri në kundërshtim me ligjin për armët, pa autorizim ka mbajtur në pronësi pistoletën e tipit Zoraki M 2906-T, me numër serik ZRAGY02 201100027 cal.9mm, me një karikator të zbrazur, e cila me date 12 prill i është konfiskuar nga Policia.
Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit V.A, e ka aprovuar si të bazuar conform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj”, thuhet në njoftim.
21-vjeçarja me inicialet E.C, është vrarë në objektin e Qendrës për Punë Sociale. I dyshuar për vrasjen është ish-bashkëshorti i saj, një 36-vjeçar me inicialet V.A.
(Kosova Sot Online)