Krasniqi: Kam mbijetuar armën më mizore të luftës, përdhunimin
Heroinat, gratë e mbijetuara të dhunës seksuale, Vasfije Krasniqi -Goodman dhe Shyrete Tahiri – Sulejmani, kanë rrëfyer për tmerrin që kanë përjetuar në luftën e fundit të Kosovës, duke kërkuar drejtësinë ende të paardhur.
“Qëndroj para gjithë njerëzve të botës për t’i rikujtuar që Kosova asnjëherë s’ka luftuar për hakmarrje apo për shkatërrim të të tjerëve. Ne kemi luftuar për liri nga regjimi i Millosheviqit dhe krimet që u kryen ndaj popullit tonë”, ka thënë Krasniqi – Goodman në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
Kërkesa e saj ka qenë mos duartrokitja për guximin e saj për rrëfimin e dhunimit, por kërkimi i llogarisë për historinë e saj dhe të mijëra grave e burrave që kanë pasur të njëjtin përjetim.
“Unë kam mbijetuar armën më mizore të luftës, por për ne si të mbijetuar shumë prej këtyre përjetimeve nuk marrin fund kurrë. Drejtësia nuk është ndarë, bëjë thirrje ndaj institucioneve që t’i thërrasin në llogari të gjithë kryerësit e krimeve ndaj meje dhe dhjetëra mijëra të tjerëve si unë”, ka thënë Krasniqi – Goodman.
Vasfije Krasniqi – Goodman ka bërë kthesën e madhe, duke qenë e para e mbijetuar e dhunës seksuale që në mënyrë publike ka treguar rrëfimin e saj të përdhunimit, duke u bërë zë i mijëra të mbijetuarve burra e gra.
Ndërkaq Shyrete Tahiri – Sulejmani ishte gruaja e parë që në mënyrë publike dorëzoi kallëzimin penal në Prokurorinë Speciale të Kosovës, për të rrëfyer më vonë edhe historinë e saj në mënyrë të plotë.
(Kosova Sot Online)