Kurti: Mungesa e sanksioneve ndaj Serbisë e ka trimëruar atë, Kosova është shteti i së drejtës

  • E.K /
  • 18 April 2024 - 14:30
Kurti: Mungesa e sanksioneve ndaj Serbisë e ka trimëruar atë, Kosova është shteti i së drejtës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti thotë se s’do të ndodheshim në këtë situatë nëse Serbia do të sanksionohej ndërkombëtarisht pas rrëmbimit të policëve vitin e kaluar dhe pastaj pas sulmit në Banjskë të Zveçanit ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku, përcjell “Kosova Sot Online”.

Kurti tha se mungesa e sanksioneve “e ka trimëruar Serbinë”.

“Po të kishte sanksione ndaj Beogradit atëherë kur u rrëmbyen tre policët tanë, më 14 qershor të vitit të kalaur në veri të Kosovës, ose atëherë kur u vra rreshteri Afrim Bunjaku nga një grup i paramilitarëve më 24 shtator të vitit të kaluar, ne nuk do të ndodheshim në këtë gjendje. Sot arrestimet në masë që i bën Serbia të qytetarëve të vendit tonë, qofshin ata qytetarë të zakonshëm që e përdorin Serbinë si vend tranzit për t’u kthyer në Kosovë nga vendet e Bashkimit Europian apo për të shkuar atje, qofshin ata zyrtarë shtetërorë si puna e zëvendësdrejtorit të Policisë, këto nuk do të vinin në shprehje, sikur Serbia të ndodhej nën sanksione”, tha Kurti.

“Mungesa e sanksioneve ndaj Serbisë e ka trimëruar atë dhe unë uroj që ky trimërim i agresivitetit të Serbisë që vjen si pasojë e një nervoze të padurueshme të brendshme të saj, që rezulton nga sukseset e shtetit tonë, të paraqesë një etapë të re, në të cilën do të kuptohet që Kosova është shteti demokratik, Kosova është shteti i së drejtës, që Kosova respekton liritë dhe të drejtat e qytetarëve, ndërkaq Serbia praktkisht është shtet mafioz, ku një person publikisht lanson fushatë përndjekëse ndaj të gjithë të tjerëve”, tha Kurti.

“Unë besoj që zyrtarët e Brukselit do ta kenë parë konferencën për media të cilën e ka mbajtur presidenti i Serbisë në kazermën ‘Vasa Çarapoviq’ në Beograd të shtunën që shkoi, pikërisht kur u bënë 10 muaj të rrëmbimit të tre policëve tanë, Beqir Sefës, Rifat Zekës edhe Shemë Mustafës dhe në ditëlindjen e njësitit special ushtarak ‘Kobra’ i cili i kishte rrëmbyer ata polic. Shteti mafioz ku kryemafiozi është njeri publik, më publik atje duke qenë president i Republikës, nuk është ndryshe”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online)