Vjosa Osmani deklaron pasurinë

  • E.K /
  • 20 April 2024 - 13:18
Vjosa Osmani deklaron pasurinë

Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar pasurinë e saj në regjistrin e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, ku ka renditur pasuritë e paluajtshme, paratë e kursyera, detyrimet financiare e të hyrat vjetore.

Tek pasuritë e paluajtshme, Osmani ka listuar banesën e bashkëshortit Prindon Sadriu në vlerë 59 mijë e 760 euro, shtëpinë e bashkëshortit në vlerë 170 mijë euro, tokën e përbashkët në vlerë 30 mijë euro,  shtëpinë e përbashkët në vlerë 190 mijë euro dhe një tjetër shtëpi në pronësi të bashkëshortit në vlerë 510 mijë euro.

Shtëpinë në vlerë gjysmë milioni, bashkëshorti i Presidentes e ka blerë vjet, siç është thënë nga shitja e shtëpisë në Australi, shitja e shtëpisë së prindërve të tij, kursime dhe hua familjare.

Ndërkohë, ajo në pronësi të përbashkët figuron të jetë blerë në vitin 2019.

Si pasuri të luajtshme, Osmani e ka deklaruar veturën e bashkëshortit, një Mercedes-Benz, në vlerë 10 mijë euro, që thotë ta ketë blerë me kursime dhe nga shitja e veturës paraprake.

Para të gatshme, Osmani ka deklaruar se i ka 1 mijë e 77 euro nga pagat dhe mëditjet, derisa bashkëshorti i saj ka deklaruar rreth 90 euro dhe 266 dollarë Australian.

Osmani dhe bashkëshorti i saj kanë edhe dy kredi, njëra në vlerë 40 mijë euro e tjetra në vlerë 65 mijë euro rreth shtëpive.

Si të hyra vjetore, Osmani ka deklaruar 33 mijë e 70 euro nga paga vjetore si Presidente dhe 8 mijë e 92 euro nga mëditjet për udhëtimet jashtëvendit. Bashkëshorti i saj ka deklaruar pagën vjetore në vlerë 17 mijë e 173 reuro, si dhe 12 mijë euro si të hyra nga qiratë në Australi.

(Kosova Sot Online)