KQZ zbulon listat : Mbi 46 mijë qytetarë me të drejtë vote për procesin e votimit që do mbahet nesër në veri

  • 20 April 2024 - 16:29
KQZ zbulon listat : Mbi 46 mijë qytetarë me të drejtë vote për procesin e votimit që do mbahet nesër në veri

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në mbledhjen e sotme ka njoftuar se procesi i votimit për ose kundër shkarkimit të kryetarëve të komunave në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, do të mbahet më nesër.Në këtë listë janë 46.556 votues, që është 1.461 votues më shumë krahasuar me zgjedhjet e 23 prillit 2023, transmeton "Kosova Sot Online".

Më 3 prill, KQZ-ja ka miratuar qendrat e votimi, ku kanë qenë 43 sosh, por pas raportimeve të Sekretariatit të KQZ-së, u bë e ditur se nga 43 qendra, 33 prej tyre, që janë shkolla, drejtorët e tyre kanë refuzuar dhënien e tyre në përdorim për procesin e votimit.

Sipas të dhënave, numri i votuesve të rinj që do të votojnë për herë të parë është 1826, nga të cilët: 293 votues të rinj, që mbushën tetëmbëdhjetë vjeç pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme, të mbajtura më 23 prill 2023; 1.533 zgjedhës, që nuk kanë qenë në Listën zgjedhore në zgjedhjet e jashtëzakonshme, të mbajtura më 23 prill 2023, dhe që mund të konsiderohen zgjedhës që janë regjistruar për herë të parë në Regjistrin Qendror të Qytetarëve ose zgjedhës që kanë ndryshuar komunë pas këtyre zgjedhjeve.

Sipas raportit të ‘Listës zgjedhore’, numri i votuesve, emrat e të cilëve janë fshirë nga lista për shkak të vdekjes, ndërrimit të komunës apo heqjes dorë nga shtetësia e Republikës së Kosovës pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 23 prillit 2023, është 365.

Sipas vendimit të KQZ-së, në ditën e votimit, numri i qendrave të votimit në komunën e Leposaviqit është 8, në Zubin Potok 5, në Zveçan 5 dhe në Mitrovicën e Veriut 5.

(Kosova Sot Online )