Ja pse Moska refuzon ankesën e Evan Gershkovichit
Një gjykatë në Moskë e ka refuzuar më 23 prill ankesën e gazetarit amerikan, Evan Gershkovich kundër zgjatjes së periudhës së paraburgimit deri më 30 qershor, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Gjyqtari i rastit ka thënë se vendimi i 26 marsit për zgjatjen e kohës së ndalimit, “nuk duhet të ndryshohet”.
Gershkovich, gazetar i të përditshmes amerikane, Wall Street Journal, është në paraburgim më shumë se një vit në Rusi, nën akuzat për spiunim.
Deri më tani, atij i janë refuzuar shumë ankesa tjera lidhur me masat e ndalimit.
Gershkovich, 32-vjeçar, shtetas amerikan, është arrestuar në fund të marsit të vitit 2023 në Jekaterinburg, teksa ka qenë në një udhëtim pune.
Autoritetet ruse nuk kanë ofruar të dhëna që mbështesin akuzat e tyre për spiunazh, të cilat Wall Street Journal dhe Qeveria amerikane, i kanë hedhur poshtë.
Ato deklarojnë se Gershkovich ka qenë duke e bërë punën e tij dhe ka qenë i akredituar si gazetar në kohën kur është arrestuar.
Një tjetër shtetase amerikane që po mbahet prej autoriteteve ruse të sigurisë është Alsu Kurmasheva, gazetare e Radios Evropa e Lirë, e cila është arrestuar në tetor të vitit të kaluar në Kazan, dhe akuzohet se ka dështuar që të regjistrohet si agjente e huaj, dhe që ka përhapur informacione të rreme për ushtrinë ruse.
Nëse dënohet, ajo përballet me 10 vjet burgim.
Radio Evropa e Lirë dhe Qeveria amerikane kanë thënë se akuzat ndaj saj janë hakmarrje për punën që e ka bërë.
Zyrtarët rusë nuk janë deklaruar për mundësinë e lirimit të dy gazetarëve.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se ndonëse vazhdojnë “kontakte të caktuara” për këmbim të mundshëm, diçka e tillë duhet të kryhet “në heshtje të plotë”.
Rusia besohet se është duke kërkuar lirimin e Vadim Krasikovit, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm në Gjermani, më 2021, për vrasjen e një shtetasi gjeorgjian me prejardhje çeçene, i cili ka luftuar me trupat ushtarake ruse në Çeçeni, dhe më vonë ka kërkuar azil në Gjermani.
Kur është pyetur për mundësinë e lirimit të Gershkovichit, presidenti rus, Vladimir Putin, e ka përshkruar Krasikovin si person të burgosur prej një vendi aleat të Shteteve të Bashkuara, për “likuidim të një banditi”, i cili supozohet se ka vrarë ushtarë rusë gjatë luftimeve në të kaluarën në Çeçeni.
(Kosova Sot Online)