Kurti paralajmëron nga Berlini zgjidhje për Asociacionin dhe votim për lejimin e bashkëjetesës për personat e gjinisë së njëjtë
Kryeministri Albin Kurti ka marrë pjesë në ngjarjen e organizuar nga Partia Socialdemokrate e Gjermanisë, SPD – partia në pushtet e kancelarit Olaf Scholz – në hapësirat e Bundestagut gjerman, për nder të 75-vjetorit të themelimit të Këshillit të Europës.
Në fjalimin e tij, Kurti bëri thirrje që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Europës këtë vit. Këtu ai përmendi edhe zotimet e Kosovës që të plotësojë kërkesat që i janë bërë për t’u anëtarësuar në këtë organizatë.
“Që kjo të ndodhë duhet të ndodhin dy gjëra”, tha Kurti.
Njëra prej tyre është Asociacioni për komunitetin serb dhe tjetra lejimi i bashkimit civil mes gjinive të njëjta – Kodi Civil, i cili s’ka gjetur përkrahje në Kuvendin e Kosovës deri tash.
Ai tha se për këtë personalisht do ta krijojë shumicën parlamentare, duke i bërë thirrje edhe opozitës.
“Më lejoni t’ju jap një shembull. Kosova do të synojë që së shpejti të bëhet vendi i dytë në Ballkanin Perëndimor, pas fqinjëve tanë Mali i Zi, duke u ofruar qytetarëve të saj të drejtën e bashkimeve civile të të njëjtës gjini. Ne do të punojmë shumë për ta kaluar këtë në të ardhmen shumë të afërt. Për këtë unë personalisht do të ndërtoj një shumicë parlamentare – dhe do të bëj thirrje për mbështetje të gjerë për këtë edhe nga partitë opozitare. Vendimi për mbledhjen e qeverisë për këtë çështje tashmë është marrë”.
Kurti tha se kjo do të bëhet edhe për shkak që e kërkon që Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut derisa kërkesa për anëtarësim të Kosovës në Këshill të Europës është në proces.
“Ne e bëjmë këtë sepse është një e drejtë, sepse është një e drejtë, sepse është në kushtetutën tonë dhe sepse e dimë që Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka nxjerrë aktgjykime duke kërkuar që kjo të bëhet. Ne e dimë se ka vende në Këshillin e Europës për një kohë të gjatë që e kanë injoruar gjykatën për këtë. Kosova do të jetë ndryshe. Në këtë mënyrë duam të frymëzojmë të tjerët”, tha Kurti.
Ai foli edhe për minoritetet në Kosovë, duke thënë se do t’i zgjidhë “çështjet e pazgjidhura” me komunitetin serb si prioritet.
“Ne gjithashtu do t’i zgjidhim çështjet e pazgjidhura me të cilat ballafaqohen pakicat tona, të drejtat dhe nevojat e tyre, duke përfshirë minoritetin serb të Kosovës, si prioritet. Edhe për këtë, ne po punojmë me anëtarët gjermanë të Bundestagut për të përshkruar nisma të reja dhe të mëdha. Takimet e mia këtu në Berlin për këtë kanë qenë shumë inkurajuese”.
Në fjalën e tij, Zyra e Kryeministrit njofton se Kurti rikujtoi se 75 vjet më parë, në prill të vitit 1949, u krijuan dy institucione që kanë transformuar historinë europiane: NATO dhe Këshilli i Europës, të cilat i cilësoi si shtyllat e paqes demokratike në Europë.
Ai përmendi përjetimet e qytetarëve të Kosovës në luftën për çlirim dhe pavarësi, e për të cilët tha se lidhja me këto institucione perëndimore e demokratike ishte dhe që atëherë mbështetje për t’i ikur tmerreve të kohës.
Duke nënvizuar se Kosova aspiron dhe punon për anëtarësimin në NATO e Bashkimin Europian, kryeministri Kurti tha se hapi i parë për bashkimin me demokracitë evropiane është anëtarësimi në Këshillin e Europës.
“75 vjet nga krijimi i Këshillit të Evropës, 25 vjet që kur NATO, përfshirë Gjermaninë, shkoi në luftë për të mbrojtur dhe shpëtuar qytetarët e Kosovës nga tmerret e masakrave, vrasjeve, përdhunimeve dhe dëbimeve masive. 2024 është viti i duhur që demokracia e fundit në Evropë që nuk është ende anëtare e Këshillit të Europës t’i bashkohet asaj”, u shpreh Kurti.
Në vijim, ai elaboroi rreth përkushtimit të vendit tonë për vlerat e parimet demokratike, sundimin e ligjit, mbrojtjen e të drejtave të njeriut e vëmendjen ndaj nevojave të komuniteteve joshumicë.
Ai tha se në këto tri vjet qeverisje, “kemi dëshmuar se zhvillimin socio-ekonomik dhe progresi demokratik shkojnë krah për krah|.
Kurti iu ka bërë thirrje miqve gjermanë të Kosovës që ta mbështesin atë edhe në këtë hap të fundit të anëtarësimit të plotë në Këshillin e Europës, si vendi i 47-të anëtar.
Në fund falënderoi Bundestagun dhe SPD për “mikpritjen, interesin, mbështetjen dhe rolin kyç demokratizimin e Evropës dhe për ndihmën e vazhdueshme”.
(Kosova Sot Online)