Ndërron jetë foshnja që u nxor e gjallë nga barku i nënës së vrarë në Gazë
Një foshnje, e cila ishte nxjerrë e gjallë ditë më parë nga barku i nënës së vrarë nga një sulm ajror izraelit në jug të Gazës, ka vdekur të enjten.
Foshnja Sabreen al-Sakani u nxor e gjallë përmes prerjes cezariane nga barku i një gruaje palestinez në një spital në Rafah, pak pas mesnatës të dielën.
Megjithatë, ajo vdiq të enjten dhe është varrosur pranë nënës së vet, emrin e të cilës e kishte trashëguar, raporton BBC.
Foshnja Sabreen ishte në mesin e 16 fëmijëve që u vranë nga dy sulme ajrore në Rafah javën e kaluar. Të gjithë u vranë nga bombardimi që cak e kishte një bllok banimi ku jetonin ata.
Forcat Mbrojtës të Izraelit (IDF) thanë se infrastruktura dhe luftëtarët e Hamasit – grupit të shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE – ishin cak i bombardimeve të saj.
Nëna e Sabreenit ishte shtatë muaj e gjysmë shtatzënë kur Izrseli e bombardoi shtëpinë e saj, pak para mesnatës të shtunën, derisa ajo, burri i saj Shukri dhe vajza e tyre trevjeçare Malak, ishin në gjumë.
Sabreen pësoi plagë të rënda, ndërsa burri i saj dhe Malak u vranë, por foshnja ishte ende gjallë në barkun e saj kur ekipet e shpëtimit mbërritën në vend të ngjarjes.
Ata e dërguan Sabreenin në spital, ku mjekët bënë ndërhyrje urgjente cezariane për ta nxjerrë foshnjën.
U duk sikur Sabreen ishte në gjendje stabile dhe ishte vendosur në një inkubator. Në atë kohë, mjekët e kishin përshkruar si kritike gjendjen e saj.
Më shumë se gjysma e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh e Gazës është zhvendosur në Rafah për t’u shpëtuar bombardimeve izraelite, të nxitura pas sulmit të 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit nga grupi ekstremist palestinez, Hamas, i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.
Lufta e Izraelit në Gazë kundër Hamasit nisi pasi pjesëtarët e këtij grupi i vranë rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe i rrëmbyen rreth 250 të tjerë gjatë atij sulmi në jug të Izraelit.
Më shumë se 34.000 palestinezë janë vrarë, prej të cilëve dy e treta fëmijë dhe gra, si pasojë e luftës izraelite në Gazë prej atëherë, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë./REL/
(Kosova Sot Online)