Martens: Në Berlin e Paris ka qarqe që kërkojnë Asociacionin, synojnë ta shtyjnë votimin për anëtarësim në KiE

  • 29 April 2024 - 12:36
Martens: Në Berlin e Paris ka qarqe që kërkojnë Asociacionin, synojnë ta shtyjnë votimin për anëtarësim në KiE

Michal Martens, gazetari i “Frankfurter Allgemeine Zeitung” thotë se ka qarqe në Berlin dhe Paris, por edhe edhe qendra të tjera të Europës që “synojnë ta injorojnë votën e qartë të parlamentarëve të tyre dhe ta shtyjnë votimin për aplikimin e Kosovës për anëtarësim” në Këshillin e Europës, transmeton "Kosova Sot Online ".

Në një shkrim në FAZ, Martens ka analizuar hapat që Kosova duhet t’i bëjë drejt anëtarësimit në KiE, që synohet të vendoset në Këshillin e Ministrave në mes të majit.

Martnes thotë se ka “një betejë në Europë nëse shteti më i ri i Europës duhet të lejohet t’i bashkohet klubit të vjetër të demokracive europiane”, të cilën ai e quan “betejë po ashtu për kredibilitetin europian”,

“Ndonëse Franca dhe Gjermania nuk vendosin vetë lidhur me këtë çështje, ato luajnë rol qendror në vendim. Kjo është edhe arsyeja pse presidenti serb Aleksandar Vuçiq së fundi udhëtoi në Paris për të agjituar kundër anëtarësimit të Kosovës. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti,  në anën tjetër udhëtoi në Berlin javën e kaluar për të bërë fushatë për pranimin e Kosovës në KiE. Ai u fokusua në diskutimet te politikanët nga SPD-ja, partia e kancelarit Olaf Scholz, por po ashtu u takua me ministren e jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock”, shkroi Martens në “X”.

Pavarësisht se Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës me shumicë dërmuese votash i tha po anëtarësimit të Kosovës, ai përmend një dozë skepticizmi në Berlin e Paris, ku, siç thotë ai, po kërkohet si parakush themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Pozita startuese duhet të jetë më se e qartë, pasi një shumicë e madhe prej më tepër se 80 për qind të deputetëve në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës votuan në favor të pranimit të Kosovës si anëtare…Mirëpo, në Berlin dhe Paris (por edhe në kryeqendra tjera) duket se ka qarqe që synojnë ta injorojnë votën e qartë të parlamentarëve të tyre dhe ta shtyjnë votimin për aplikimin e Kosovës për anëtarësim, kështu duke injoruar kriteret e duke bërë që momenti të humbet. Këto qarqe thonë se para se aplikimi i Prishtinës të votohet, Kosova duhet ta lejojë themelimin e ‘Asociacionit të Komunave me shumicë serbe’ (AKS) për të siguruar të drejtat e minoritetit serb. Duket se kjo vijë e mendimit ekziston edhe në kancelarinë gjermane. Por, në një vështrim më të afërt, kjo kërkesë nuk do të thotë asgjë tjetër pos t’i jepet Serbisë e drejta e vetos kundër pranimit të Kosovës, ndonëse një veto e tillë nuk parashihet në statutet e KiE-së”, shkruan Martens.

Ai thotë se Asociacioni po përdoret si kurth nga Serbia, për ta penguar anëtarësimin e Kosovës në KiE.

“Ekziston edhe një detaj thelbësor: çdo asociacion i komunave me shumicë serbe mund të themelohet vetëm nga ato komuna. Dhe askush deri tash nuk është shprehur në favor të draftit të QUINT-it. Sepse Beogradi nuk e do. Për Serbinë, statusi aktual është i përsosur: Beogradi ankohet me zë të lartë se nuk ka AKS – dhe në të njëjtën kohë bën çdo gjë që mundet për të siguruar që të mbetet ashtu situata. Kush thotë se nuk mund ta hani tortën tuaj dhe ta hani atë? Beogradi tregon se mundesh, përderisa tjerët luajnë këtë lojë. Serbia i ka udhëzuar me sukses serbët e Kosovës në disa raste që t’i bojkotojnë zgjedhjet dhe të tërhiqen nga komunat me shumicë serbe në veri. Pa përfaqësues serbë nuk ka AKS dhe pa AKS nuk ka anëtarësim në Këshill të Evropës për Kosovën”, shkruan Martens.

Gazetari gjerman shkruan se raportuesja për Kosovën në KiE, Dora Bakoyannis e ka kuptuar se Asociacioni është kurth.

“Schwabe është i përkushtuar të sigurojë që Berlini mos ta injorojë votimin e qartë në Asamblenë Parlamentare të KiE-së për Kosovën. Ai nuk është i vetëm në SPD.  Edhe raportuesja Dora Bakoyannis, si Schwabe, e ka kuptuar se kushti i AKS-së është në thelb një kurth, sepse Serbia s’do që të përmbushet. Të tjerët në Berlin ose nuk arrijnë ta kuptojnë këtë ose janë në rregull me këtë. Nuk e di se çfarë është më keq. Është një moment si në konfliktin mes Athinës dhe Shkupit për ‘çështjen e emrit’. Në vitin 2018 pati një dritare mundësish. Po të mos e përdornin palët atëherë, konflikti nuk do të zgjidhej ende sot”, ka shkruar Martens. 

(Kosova Sot Online )