Sanchez njofton se do të qëndrojë në detyrë
Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez i dha fund të hënën spekulimeve mbi të ardhmen e tij duke njoftuar se do të vazhdojë të qëndrojë në detyrë “madje edhe më i fortë”, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Zoti Sánchez tronditi Spanjën të mërkurën e kaluar kur njoftoi se do të merrte 5 ditë kohë për të menduar mbi të ardhmen e tij, pas vendimit të gjykatës për nisjen e hetimeve paraprake ndaj bashkëshortes së tij mbi dyshimet për korrupsion.
“Kam vendosur të qëndroj edhe me më shumë forcë në krye të qeverisë së Spanjës”, tha ai në një fjalim televiziv pasi kishte informuar më herët mbi vendim-marrjen e tij Mbretin Felipe VI.
Në rast se ai do të kishte dhënë dorëheqjen, Evropës do t’i mungonte një kryeministër i njohur nga radhët socialiste në prag të zgjedhjeve të qershorit, në një kohë që qendra e djathë vazhdon të rrisë ndikimin e saj.
Kryeministri tha se vendimi do të sjellë ndryshime, por pa dhënë detaje mbi hapat që ai do të ndërmarrë për të kufizuar, atë që e cilësoi një “fushatë shpifjesh” me të cilat po përballet familja e tij.
Zoti Sanchez, i cili ka shërbyer si kryeministër i Spanjës që nga viti 2018, postoi një letër emocionale në rrjetin social X të mërkurën e kaluar përpara se sa të shkonte për të reflektuar, pa u shqetësuar, në Pallatin Moncloa, rezidenca e kryeministrit në Madrid.
Ai tha se veprimet kundër bashkëshortes së tij ishin sulm ndaj familjes dhe se i nevojitej kohë për të vendosur mbi përparësitë e tij.
Në letrën, në të cilën u shpreh “thellësisht i dashuruar” me bashkëshorten e tij Begoña Gómez, ai tha se nuk mund të qëndronte mënjanë dhe ta shihte atë të bëhej objekt i një hetimi ligjor në bazë të akuzave të një grupi të krahut të djathtë se ajo kishte shfrytëzuar pozitën e saj për të ndikuar në marrëveshje biznesi.
Grupi Manos Limpias ose “Duar të Pastra” pranoi se padia ishte ngritur mbi bazën e botimeve në median e shkruar. Prokurorët spanjollë thanë se padia nuk duhej pranuar.
Duke folur në shkallët e Pallatit Moncloa, zoti Sánchez tha se ai dhe e shoqja ishin të ndërgjegjshëm “se fushata për të njollosur figurën e tyre nuk do të ndalej, por se ai kishte vendosur se nuk do t‘u jepte kundërshtarëve kënaqësinë e dorëheqjes së tij.
Ai tha se tubimet në mbështetje të tij gjatë ditëve të fundit patën ndikim në vendim-marrjen e tij.
Në thelb, ai kishte 4 mundësi- të dorëhiqej, të kërkonte votëbesim nga parlamenti, të kërkonte mbajtjen e zgjedhjeve të reja ose të qëndronte në detyre.
Ai tha se vendimet për të shkruar letrën, për të anuluar agjendën publike dhe për të qëndruar në detyrë “nuk ishin marrë pa pasur parasysh konsideratat politike”.
“Jam i vetëdijshëm se kam dëshmuar një nivel intimiteti personal që nuk është zakonisht i lejuar në politikë”, shtoi ai.
Pavarësisht nëse vendimi për të mos u dorëhequr u nxit ose jo kryesisht nga shqetësimet për familjen, ai pritet të ketë ndikim politik në zgjedhjet e rëndësishme rajonale në Katalonjë, pas dy javësh, si edhe në zgjedhjet evropiane.
Lëshimet e tij për partitë separatise në Katalonjë me qëllim mbajtjen e pushtetit kanë mbizotëruar debatin politik në Spanjë.
“Ai i dhuroi vetes fushatë elektorale falas përmes tubimeve për 5 ditë me radhë. Ata që e mbështetën do jenë në krah tij deri në fund”, thotë analistja politike dhe profesoresha e së drejtës kushtetuese në Universitetin Ndërkombëtar të Katalonjës, Montserrat Nebrera, për agjencinë “Associated Press”.
“Kjo fushatë duket se synon të forcojë edhe më shumë polarizimin tek zgjedhësit, mes atyre që janë pro dhe kundër tij”, tha ajo.
“Fushata u hartua në mënyrë të tillë që të ndikonte zgjedhjet në Katalonjë si edhe më së tepërmi zgjedhjet evropiane, që nuk duket se po shkojnë fjollë për socialistët”, shton analistja.
Zoti Sánchez, 52 vjeç arriti të formojë një qeveri të koalicionit të krahut të majtë në nëntor për të filluar edhe një mandat të ri katër vjeçar.
Zoti Sánchez akuzoi portalet e lajmeve që janë të rreshtuara politikisht me partinë kryesore opozitare konservatore, Partinë Popullore dhe partinë e djathtë Vox, se po shpërndajnë ato, që ai i quajti pretendime “të rreme”, që çuan drejt fillimit të hetimeve.
Partia Popullore, tha se sjellja e zotit Sánchez ishte e papërshtatshme për një udhëheqës. Partia Popullore dhe Vox e kanë cilësuar atë diktator dhe tradhtar të Spanjës.
(Kosova Sot Online)