Jasharaj: Besoj se Qeveria ka marrë 'shkollë' nga greva e vitit 2022
Rreth 1 mijë mësimdhënës e punëtorë tjerë do të jenë nesër në protestën e organizuar nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës dhe mbështetur nga sindikatat tjera. Kështu ka thënë kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Jasharaj shprehet i bindur se Qeveria Kurti ka marrë “shkollë” nga grevat e vitit 2022, për të cilën thotë se nuk duhet të ndodh.
Kryesindikalisti shpreson që Qeveria do t’i plotësojë kërkesat e tyre, në mënyrë që protesta e nesërme të jetë e fundit.
“Numri nuk do të jetë krejt i vogël, ne presim dikund 1 mijë (protestues) sepse kemi shumë shoqata sindikale, pra do të jetë zëri i anëtarësisë sonë. Me 1 maj do të dalim me kërkesa konkrete dhe do t’i bëjmë publike dhe urojmë që pas kësaj proteste të mos ketë nevojë më për protesta e greva por Qeveria të ulet dhe të bisedojë me neve, ngase edhe motoja e protestës është që ‘Qeveri realizo kërkesat tona, parandalo veprime tjera sindikale’. Ne do të takohemi me protestuesit në oborrin e Bibliotekës Kombëtare, pastaj do të vazhdojmë drejtë MAShTI-t për tu kthyer kah katedralja përgjatë sheshit deri te Qeveria dhe do të ketë disa fjalime aty”, ka thënë Jasharaj.
(Kosova Sot Online)