Ambasadori turk e siguron Kryeministrin Kurti: Ankaraja voton pro Kosovës në KiE

  • 01 May 2024 - 12:17
Ambasadori turk e siguron Kryeministrin Kurti:  Ankaraja voton pro Kosovës në KiE

Kryeministri Albin Kurti ka pritur në takim ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, transmeton "Kosova Sot Online ".

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, ambasadori Angili e uroi kryeministrin Kurti për votimin e suksesshëm në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe theksoi mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë ndaj Kosovës.

Ai theksoi mbështetjen e Republikës së Turqisë për votimin e ardhshëm në Komitetin e Ministrave.

“Kryeministri Kurti falënderoi Ambasadorin për urimet dhe për mbështetjen e plotë të Turqisë”, njofton ZKM.

Më 16 prill të gjithë deputetët nga Republika e Turqisë votuan pro anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës.

Gjatë takimit, u diskutuan marrëdhëniet dypalëshe dhe rëndësia e bashkëpunimit në projekte të përbashkëta në fushat e ekonomisë, kulturës, mbrojtjes dhe investimeve.

“Kryeministri shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë ndaj popullit dhe shtetit të Kosovës, veçanërisht për rolin e saj në anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”.

(Kosova Sot Online )