Escobar: Ne gjithmonë do të qëndrojmë krah popullit të Kosovës

  • A.P /
  • 07 May 2024 - 17:18
Escobar: Ne gjithmonë do të qëndrojmë krah popullit të Kosovës

“Ne gjithmonë do të qëndrojmë krah popullit të Kosovës”, thotë Gabriel Escobar, i dërguari i SHBA-së për t’u marrë me çështje në rajonin në të cilin bën pjesë edhe Kosova. Krerët e shtetit të vogël ballkanik në disa raste aluduan se ai qëndronte në anën e Serbisë. Specialisti i diplomacisë nuk e pati të lehtë në detyrën e emisarit, duke parë që thirrja e tij e vazhdueshme për t’u koordinuar këmbehej me fushata sulmesh ndaj tij e cila u riciklua edhe javën e fundit, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Detyra e të dërguarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor nuk do të ketë qenë e lehtë as për një specialist të diplomacisë si Gabriel Escobar.


Siç ndoshta nuk do ta ketë pritur diplomati amerikan, disa pushtetarë në Kosovë dhe mbështetës të tyre në forma të ndryshme hodhën plot akuzua në drejtim të tij, duke e lidhur atë edhe me Serbinë.

Pothuajse në çdo paraqitje publike, Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit u mundua të argumentonte se SHBA-ja ka bërë shumë gjëra në favor të Kosovës. Thirrja e tij e vazhdueshme për t’u koordinuar këmbehej me fushata sulmesh ndaj tij. Nga Kosova ai priti themelimin e një asociacioni të komunave me shumicë serbe që s’do ta rrezikonte Kushtetutën apo strukturën ligjore të shtetit. Për një strukturë të tillë vetëmenaxhimi për serbët ishin pajtuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Bruksel dhe Ohër në shkurt dhe mars të vitit të kaluar.

Nëse sulmuesit e Escobarit dhe vetë kryeministri Albin Kurti nuk do të mendonin se i dërguari i SHBA-së e bëri thjesht për ta joshur Qeverinë, mund të konstatohet se Kosova ka humbur mundësi të mëdha për t’u njohur plotësisht ndërkombëtarisht.

Kështu ishte puna sipas Gabriel Escobar, i cili kishte pranuar edhe publikisht se në Washington kanë “problem komunikimi me kryeministrin”, dhe se “ky nuk është problem vetëm i Shteteve të Bashkuara”.
Anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, me njohjen paraprake nga pesëshja e BE-së, diplomati amerikan e konsideroi si aspiratën më të lartë të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor. Marrëveshja e fundit në dialog, sipas tij ofronte mundësinë më të madhe që nga pavarësia që amerikanët të bashkëpunonin me Qeverinë e Kosovës në një fushatë globale të njohjeve që mund të niste vitin e kaluar.

Kështu thoshte ai në Capitol Hill në verën e vitit 2023, në një mbledhje ku Kosova ishte çështje kryesore e diskutimit.


(Kosova Sot Online)