A do ta bëjë Kurti hapin e kërkuar për Asociacionin?
Muajin e kaluar Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës miratoi raportin për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Vendimi përfundimtar merret nga Këshilli i Ministrave të vendeve anëtare që mblidhet javën që vjen, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Por fati i kësaj çështje mbetet i paqartë dhe ka zëra se anëtarësimi i Kosovës mund të mos përfshihet fare në rendin e ditës. Arsyet duket se lidhen me çështjen e Asociacionit, për të cilën aleatët perëndimore i kanë kërkuar Prishtinës të hedhë hapa konkretë.
Në një intervistë analisti Agon Maliqi thotë se ka ende pritshmëri që qeveria e kryeministrit Kurti të ndërmarrë hapin e kërkuar në lidhje me Asociacionin, përpara mbledhjes së Këshillit të Ministrave të KiE. Ai kritikoi kryeministrin Kurti për atë që e cilësoi një qasje antagoniste me aleatët, që mund t’i kushtojë, sikurse tha, anëtarësimin në këtë organizatë.
(Kosova Sot Online)