Lexoni edhe:
Rezultati i zgjedhjeve në RMV, Haxhiu i PDK-s akuzon Kryeministrin Kurti: Është përçarës i shqiptarëve
Nisma e Danimarkës për të marrë në shfrytëzim burgjet e Kosovës me qira, ka zgjuar interesim edhe të shtetet tjera. Një ide e tillë po diskutohet edhe në shtete si Austria e Belgjika. Por, a është e interesuar Kosova për marrëveshje të tilla? Ajo me Danimarkën, ende s’është ratifikuar në Kuvend, përcjell "Kosova Sot Online ".
Austria dhe Belgjika e kanë hedhur në diskutim idenë që të burgosurit nga vendet joanëtare të Bashkimit Evropian, t’i bien në Kosovë për të vuajtur dënimin. Këtë synojnë ta bëjnë duke marrë çelitë e burgjeve në vend me qira.
Një marrëveshje të tillë Kosova tashmë e ka lidhur me Danimarkën, mirëpo akoma s’është ratifikuar në Kuvend.
Planin e Austrisë e zbuloi të hënën Ministri i Brendshëm i Austrisë, Gerhard Karner, i cili diskutoi për këtë çështje me homologun e tij danez, Peter Hummelgaard, gjatë një conference për migracionin.
“Objektet e paraburgimit si ato të planifikuara nga Danimarka në Kosovë janë gjithashtu pjesë e planit austriak të kancelarit federal Karl Nehammer”, ke deklaruar Karner pas konferencës, siç shkruan Politico.
Të njëjtën ide e ka dhënë edhe në Belgjikë, anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve të Belgjikës, Theo Francken nga partia N-VA.
Kundër ka dalë Kryeministri i Belgjikës, Alexander De Croo, i cili e ka cilësuar si “propozim të çmendur”.
“Një ide e vjedhur nga Danimarka, e cila tashmë ka kushtuar 210 milionë euro pa u larguar ende asnjë i arrestuar në Kosovë”, ka thënë ai.
Gazeta Express ka pyetur Ministrinë e Drejtësisë nëse Kosova ka pranuar kërkesa zyrtarisht nga këto shtete për burgje me qira apo janë duke negociuar dhe nëse vendi ka interesim për marrëveshje të tilla, por deri në momentin e publikimit të tekstit s’ka marrë përgjigje.
Se janë lajmëruar edhe shtete tjera për marrëveshje të tilla, e kishte zbuluar vetë Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, gjatë një seanca të Kuvendit ku ishte në rend dite miratimi i marrëveshjes me Danimarkën.
Haxhiu kishte thënë se pas marrëveshjes me Mbretërinë e Danimarkës për lëshimin e qelive të burgut me qira, kanë pranuar kërkesa edhe nga shtete tjera për marrëveshje të tilla, por që i kanë refuzuar.
Këtë deklaratë Haxhiu e kishte bërë pasi deputeti i LDK’së, Driton Selmanaj, e kishte pyetur nëse kjo do të jetë marrëveshja e fundit e tillë që bën Kosova.
“Sa i përket asaj se a do të ndalet Kosova me këtë marrëveshje, mua më duhet të bëhem e sinqertë. Pas kësaj marrëveëshje, ka pasur edhe vende të tjera që kanë kërkuar të bëjmë marrëveshje të njëjta, mirëpo ne nuk kemi pranuar. Ky është qëndrimi i Kosovës tani për tani, sepse konsiderojmë që e kemi këtë”, kishte thënë Haxhiu.
Për traktatin me Mbretërinë e Danimarkës, Haxhiu kishte thënë se është bërë bërë që të mos prishen raportet dhe shkaku i mbështetjes që Danimarka i ka dhënë vendit në procese të ndryshme, duke theksuar atë për Këshillin e Evropës ku vendi synon të anëtarësohet.
“…që të mos i prishim marrëdhëniet me Mbretërinë e Danimarkës për shkak të mbështetjes që Mbretëria e Danimarkës na ka dhënë në procese të ndryshme, përfshirë këtu edhe Këshillin e Evropës, ku ne pretendojmë që të anëtarësohemi. Kemi konsideruar që është e rëndësishme që ta vazhdojmë, mos ta ndërpresim këtë dakordim që e kishte bërë Qeveria paraprake”, kishte deklaruar Ministrja.
Traktati për transferimin e të dënuarve nga Mbretëria e Danimarkës në Republikën e Kosovës me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze, është nënshkruar më 26 prill të vitit 2022.
Kosova dhe Danimarka kishin arritur një marrëveshje, me të cilën Danimarka dërgon 300 të burgosur për ta vuajtur dënimin në Kosovë. Vlera e marrëveshjes është 210 milionë euro, derisa marrëveshja është e vlefshme për dhjetë vjet.
Haxhiu kishte bërë me dije se asnjë prej këtyre personave, pas përfundimit të dënimit, s’do të qëndrojnë në Kosovë.
“Asnjë prej këtyre personave nuk do të qëndrojnë në Republikën e Kosovës. Ne do t’i transfmerojmë në aeroport dhe pastaj përgjegjësinë e merr Qeveria daneze. Ne nuk kemi pune me vendet e treta, por vetëm me Mbretërinë Daneze. Ata merren me vizitat familjare e të tjerat”, kishte deklaruar Haxhiu.
Ata do të vuajnë dënimin në Burgun e Gjilanit, i cili është duke u renovuar sipas kritereve daneze.
Për renovimin e burgut të Gjilanit, Haxhiu kishte bërë me dije do të shpenzohet deri në 5 milionë euro, por kishte thënë se pastaj Danimarka do t’i kthej në buxhetin e Republikës së Kosovës këto mjete.
(Kosova Sot Online )