Tajani: Lëvizjet e Moskës duhet të ndiqen me vëmendje
Mos e nënvlerësoni, por mos e dramatizoni situatën në Kharkiv, tha sot ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
“Lëvizjet e Moskës duhet të ndiqen me vëmendjen më të madhe, nuk ka rrezik për sulme ndaj NATO-s, e përjashtoj mundësinë, shtoi Tajani gjatë një interviste në emisionin “In Mezz’ora” në Rai3, duke iu referuar ofensivës së re ruse në Kharkiv.
“Dhe duhet të them që nuk është diskutuar kurrë në një takim të BE-së apo NATO-s mundësia për të dërguar trupa për të luftuar në Ukrainë, dhe Italia nuk do të dërgojë as një ushtar në luftën ukrainase”, shtoi ai.
Trupat ruse nisën një ofensivë në rajonin kufitar drejt Kharkivit të enjten në mbrëmje, duke shkaktuar frikën e një operacioni ushtarak për të kapur qytetin e dytë më të madh të Ukrainës.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se disa fshatra në kufi me Ukrainën pranë qytetit të Vovchansk ishin pushtuar. Moska njoftoi sot se katër fshatra të tjerë ishin marrë nën kontroll.
(Kosova Sot Online)