Blerim Latifi jep prognozën: Militantët hetuan zhvillime të reja, në frontin e ashpër VV-PDK shënohet rënie e dukshme e granatimeve reciproke

  • 15 May 2024 - 12:24
Blerim Latifi jep prognozën: Militantët hetuan zhvillime të reja, në frontin e ashpër VV-PDK shënohet rënie e dukshme e granatimeve reciproke

Profesori i Filozofisë, Blerim Latifi thotë se militantët, si “kafshët më të vëmendshme politike”, kanë hetuar zhvillime të reja këto ditë, transmeton "Kosova Sot Online ".

Latifi ka vënë re se “në frontin e ashpër VV- PDK shënohet një rënie e dukshme e granatimeve reciproke”, pas darkës që kryeministri dhe kryetari i LVV-së Albin Kurti e pati të hënën me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi.

“Prej të gjitha kafshëve politike militantët janë më të vëmendshmet. Ata e hetojnë të parët çdo lëvizje në frontin politik dhe të parët i riorientojnë sulmet me artilerinë e fyerjve digjitale. Që nga mbrëmë hetohen zhvillime të reja në këtë drejtim. Në frontin e ashpër VV- PDK shënohet një rënie e dukshme e granatimeve reciproke, ndërkaq në kampin opozitar ka filluar një këmbim i ashpër zjarri digjital midis njësive të PDK-së dhe LDK-së”, shkroi Latifi në një postim në Facebook.

“Këto zhvillime dramatike pritet që shumë shpejt të përfshijnë edhe studiot e debateve televizive. Big Brother i politikës kosovare po fillon. Bashkë me të edhe lumturia e një populli të tërë, i cili nuk mund ta kuptojë botën pa partitë e tij”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online )