Osmani në takim me Hovenierin, Rohden dhe Hargreaves, kjo është arsyeja
Në lidhje me zhvillimet në raport me letrën e dërguar nga Qeveria e Kosovës në Këshill të Europës, presidentja Vjosa Osmani është takuar me ambasadorin amerikan, Jeff Hovenier, ambasadorin gjerman, Jorn Rohde dhe me ambasadorin britanik, Jonathan Hargreaves, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Presidenca e Kosovës ka thënë se letra e dërguar nga kryediplomatja Donika Gërvalla në Këshill të Europës ku zotohen se janë duke përgatitur draft-statutin për Asociacionin nuk është konsultuar e dakorduar me presidenten Vjosa Osmani.
“Presidentja Osmani përkrah vetëm qëndrime dhe veprime paraprakisht të konsultuara, të koordinuara dhe të dakorduara me institucionin e Presidencës si institucion kushtetues me kompetenca të qarta në fushën e politikës së jashtme dhe si gardian i funksionimit kushtetues të institucioneve. Kjo letër nuk është e tillë. Mund të jetë konsultuar e koordinuar me individë jashtë institucioneve që sot e kanë publikuar këtë letër, por jo me Presidencën. Çdo derivat i letrës së zotimeve të nënshkruar nga tri institucionet duhet paraprakisht po ashtu të koordinohet dhe miratohet nga po këto tri institucione”, tha Presidenca e Kosovës.
(Kosova Sot Online)