Stano: Është me rëndësi të rikujtojmë se themelimi i Asociacionit është një obligim

  • A.P /
  • 16 May 2024 - 21:00
Stano: Është me rëndësi të rikujtojmë se themelimi i Asociacionit është një obligim

Përmbajtja e një statuti, që Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar ta përpilojë, është e panjohur dhe nuk është diskutuar as me Serbinë, e as me ndërmjetësuesin e dialogut, ka deklaruar zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

“Përmbajtja e një statuti, që Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar ta përpilojë, është e panjohur dhe nuk është diskutuar as me Serbinë, e as me ndërmjetësuesin [e dialogut Prishtinë-Beograd] BE-në. Prandaj, është e pamundur që të vlerësohet përputhshmëria e tij me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 në këtë fazë”, tha Stano.

 

Stano tha se BE-ja e mirëpret gatishmërinë e shprehur më në fund nga Kosova për t’u angazhuar tani, pasi “për keqardhje, Kosova prej vitit 2013 nuk e ka ndërmarrë asnjë hap drejt themelimit të Asociacionit, e me këtë edhe drejt forcimit të të drejtave të pakicave, edhe pse ka pasur raste të shumta për të bërë këtë”.

Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin: më 2013 dhe 2015, gjatë dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Por, Gjykata Kushtetuese tha më 2015 se Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionin nuk ishte në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit. Qeveria e Kosovës vazhdimisht është shprehur kundër një asociacioni njëetnik.

Vitin e kaluar, Bashkimi Evropian ua paraqiti palëve një draft-statut për Asociacionin, të cilin kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk e pranon.

“Është me rëndësi të rikujtojmë se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë Serbe është një obligim i pazbatuar për një kohë të gjatë nga Kosova, i cili del nga marrëveshja e vitit 2013 e dialogut. Kjo është marrëveshja e vetme e dialogut që është ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës me dy të tretat e votave. Prandaj, është obligim i qartë i Kosovës, sipas së drejtës ndërkombëtare” shtoi ai.

(Kosova Sot Online)