Dogana pritet të filloj aplikimin e kodit të ri
Dogana pritet të filloj aplikimin e Kodit të ri Doganor dhe i Akcizave përmes të cilave do të lehtësohen procedurat doganore, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Pas shpalljes në gazetën zyrtare, Kodi Doganor dhe i Akcizave (08/L-247), do të hyjë në fuqi më 26.05.2024.
Siç parashikojnë dispozitat kalimtare dhe përfundimtare, aktet nënligjore të parapara me këtë Kod do të miratohen brenda një (1) viti nga data e hyrjes në fuqi të tij. Deri në miratimin e këtyre akteve nënligjore, do të vazhdojnë të zbatohen aktet nënligjore ekzistuese, për aq kohë sa ato nuk janë në kundërshtim me dispozitat e Kodit të ri. Me hyrjen në fuqi të Kodit të ri, do të shfuqizohen:
Kodi nr. 03/L-109 Doganor dhe i Akcizave në Kosovë;
Ligji nr. 04/L-099 për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit nr. 03/L-109 Doganor dhe i Akcizave në Kosovë;
Çdo dispozitë tjetër që është në kundërshtim me dispozitat e Kodit të ri.
Ky ndryshim i rëndësishëm synon të modernizojë dhe përmirësojë sistemin doganor dhe të akcizave në Kosovë, duke ofruar një kornizë më të qartë dhe më të efektshme. Kodi i ri është hartuar për të përmbushur standardet ndërkombëtare dhe për të lehtësuar tregtinë, duke e bërë më të thjeshtë dhe më efikas procesin e doganimit për bizneset dhe individët.
Kodi i ri doganor dhe i akcizave sjell disa ndryshime si në vijim:
Siguron një kornizë gjithëpërfshirëse për rregullat dhe procedurat doganore në territorin doganor të Republikës se Kosovës, duke përshtatur zhvillimet e fundit në fushën e tregtisë dhe mjetet moderne të komunikimit, duke siguruar sistem plotësisht të automatizuar.
Operatorët ekonomik përfitojnë plotësisht nga teknologjia e informacionit, e cila do të mundësojë reduktimin e barrës dhe shpenzimeve dhe do të përmirësojë efektivitetin e kontrolleve doganore (krijimin e balancit ne mes kontrolleve dhe lehtësirave tregtare).
Janë përcaktuar kushtet dhe procedura me të cilën autorizohen agjentet doganor, provimi profesional dhe licencimi i agjentëve doganor organizohet nga Dogana.
Janë përcaktuar në mënyre strikte afatet ligjore për nxjerrën e vendimeve nga Dogana, çka i mundëson subjekteve siguri juridike.
Përforcon procedurat më të shpejta për operatorët ekonomik të autorizuar (AEO) me mundësi të njohjes reciproke ndërkombëtare të autorizimeve sipas parimit të proporcionalitetit.
Autorizimi për përdorimin e një garancioni gjithëpërfshirës për të gjitha procedurat doganore.
Ndryshime për rregullat për strehimin e përkohshëm, duke përfshirë edhe zgjatjen e periudhës së strehimit nga 20 ditë deri në 90 ditë.
Obligimi për depozitimin e deklaratës përmbledhës për mallrat që sjellën apo dalin nga territori doganor i RKS-së.
Zhdoganimi i mallrave me autorizim të DK-së në ambientet e importuesit dhe thjeshtësimet tjera për operatoret ekonomik si zhdoganimi qëndror, evidentimi në regjistrat e deklaruesit dhe vetëvlerësimi.
Procedurat e posaçme (PP ish PMNE) kanë pësuar ndryshime;
tek magazinat doganore kemi vetëm dy lloje (publike dhe private),
është hequr procedura nën kontroll doganor PKD, tani pjesë e PB mallrat në përpunim të brendshëm (PB), me rastin e lëshimit të mallit në qarkullim të lirë të lëndës së parë ose produktit kompensues nuk aplikohet kamata kompensuese.
Me ligjin e akcizës përcaktohen obliguesit akcizor, lindja e obligimit të llogaritjes dhe pagesës së akcizës, në mënyre të detajuar, rregullat për autorizimin dhe shfuqizimin për magazinat akcizore, shtyrjen e pagesës, rregullat për përdoruesin e liruar i cili produktet akcizore i përdor në procesin e prodhimit me qëllim të prodhimit të një produkti jo akcizor dhe përdoruesit për shfrytëzim të burimeve të energjisë (energjentet).
Akciza për produktet e duhanit të vendosur në magazinë doganore apo magazinën akcizore duhet të paguhet më së largu deri 120 ditë nga realizimi i importit.
Me ligjin për kundërvajtje janë përcaktuar qartë një listë të veprimeve apo mos veprimeve që përbëjnë shkelje të rregullave doganore, lartësia e dënimeve ku për shkelje të sanksionuara duke marrë në konsideratë mënyra e kryerjes dhe shkeljet kategorizohen nisur nga fakti se a ka pasur qëllim apo neglizhencë. Secila shkelje e sanksionuar është e ndërlidhur me nenet përkatëse te ligjit material çka siguron trajtim ligjor dhe siguri juridike me rastin e marrjes së vendimeve.
Janë zgjeruar kompetencat e oficerëve doganor në pajtim me praktikat e doganave të BE-së me qëllim të evitimit të vakumit ligjor dhe luftimit të evazionit fiskal, verifikimeve të transfereve bankare, mbledhjes se detyrueshme dhe ushtrimit të kontrolleve në territorin doganor të Republikës së Kosovës.
Për mallrat e importuara nga udhëtaret, është vendosur pragu i ri vlerës nga deri 175 € në deri në 300 € për rruge tokësore dhe 430 € në rrugë ajrore.
Te gjitha aktet nënligjore të paraparë Kodin e ri miratohen në periudhë prej një (1) viti nga hyrja në fuqi e këtij Kodi dhe deri në miratimin e akteve nënligjore të parapara me këtë Kod, zbatohen aktet nënligjore që janë në fuqi, me kusht që nuk janë në kundërshtim me dispozitat e Kodit ri Doganor.
(Kosova Sot Online)