Me ftesë të Hillary Clinton, Osmani udhëton në Bullgari
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për vizitë pune në Bullgari, si e ftuar speciale në ngjarjen e organizuar nga Clinton Global Initiative, me ftesë të ish-Sekretares së Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Hillary Clinton, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Presidentja Osmani dhe ish-Sekretarja e Shtetit Clinton do të flasin për rolin e grave në fuqizimin e ekonomive.
Osmani do të marrë pjesë po ashtu në tryezën ekzekutive që organizohet në kuadër të këtij organizimi, përkrah të ftuarëve të shumtë nga bota e politikës, biznesit, filantropisë dhe shoqërisë civile.
Ndërkohë, në kuadër të vizitës njëditore, Osmani pritet të takohet edhe me Presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev.
Clinton Global Initiative është themeluar në vitin 2005 nga ish Presidenti i SHBA-ve, Bill Clinton dhe ka për qëllim bashkimin e forcave të liderëve nga anë e mbanë botës me qëllim të ofrimit të zgjidhjeve konkrete për sfida globale.
(Kosova Sot Online)