Detaje nga takimi Osmani - Allen: Partneriteti me SHBA-në është ekzistencial

  • A.P /
  • 19 May 2024 - 11:19
Detaje nga takimi Osmani - Allen: Partneriteti me SHBA-në është ekzistencial

Nënsekretarja e Shtetit Liz Allen ka deklaruar se SHBA-të janë të përkushtuara ndaj popullit të Kosovës dhe e falënderoi Osmanin për punën e saj për t’i mbajtur pozitive marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve,  transmeton gazeta “Kosova Sot Online”..

Presidentja Vjosa Osmani, në anën tjetër, i uroi Allen vizitë të suksesshme në Kosovë, ndërsa përmendi se partneriteti me SHBA-në është ekzistencial për çdo sukses të vendit.

“I uroj vizitë të suksesshme në Republikën e Kosovës, në Republikën e cila sot gëzon lirinë, demokracinë, falë mbështetjes edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. SHBA-të janë aleati ynë kryesor dhe partneriteti ynë me SHBA-të do të vazhdojë të jetë ekzistencial për çdo sukses të Kosovës”, tha Osmani në fjalën e saj në konferencën e përbashkët pas takimit.

Allen, ndërkaq, tregoi se biseduan edhe për “çështjet kritike të rrugëtimit euroatlantik të Kosovës”, për ta përmendur më pas themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe si hap kryesor në rrugën e anëtarësimit euroatlantik.

“Presidentja dhe unë e patëm një bisedë produktive sa i përket dezinformimit, mbështetjes për shoqërinë civile dhe angazhimin multilateral. Po ashtu biseduam edhe për çështjet kritike të rrugëtimit euroatlantik të Kosovës. Ne e mbështesim trajektoren e Kosovës drejt institucioneve euroatlantike përmes bashkëpunimit dhe bashkërendimit të ngushtë, dhe e di se është shumëe rëndësishme edhe për juve zonja presidente Vjosa Osmani. Dsikutuam për hapat kryesorë për udhëtimin e Kosovës në rrugëtimin euroatlantik përmes Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha Allen.

Në fund të fjalës së saj, diplomatja amerikane tha se “Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përkushtuara ndaj popullit të Kosovës si gjithmonë”. Për marrëdhëniet që vazhdojnë të mbeten pozitive, Allen e falënderoi Osmanin.

“Dhe faleminderit Presidente Osmani që na jeni bashkuar në këtë iniciativën tonë për ta luftuar më mirë dezinformimin dhe manipulimin e informatave dhe për punën tuaj për të ndihmuar në vazhdimin e marrëdhënieve pozitive ndërmjet dy vendeve tona. Jam e nderuar që jam këtu si mike dhe partnere”, tha Allen.

(Kosova Sot Online)