Varhelyi: Nuk pajtohem aspak me stigmatizimin e popullit serb
Komisionari i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, ka thënë se ka biseduar në telefon me ministrin e Punëve të Jashtme të BeH, Elmedin Konakoviq, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Varhelyi ka thënë se kanë sqaruar keqkuptimet dhe se u pajtuan të vazhdojnë të punojnë në rrugën evropiane të BeH.
“Pata një telefonatë konstruktive me ministrin e Jashtëm të BeH Konakoviq, ne sqaruam keqkuptimet dhe u pajtuam të vazhdojnë të punojmë në rrugën evropiane të BeH”, ka shkruar Varhelyi.
Varhelyi ka publikuar edhe një deklaratë të përbashkët me Konakoviqin.
“Ne diskutuam sot projekt rezolutën së Kombeve të Bashkuara për Srebrenicën. Deklaratat e mëparshme të komisionerit Varhelyi janë në respekt të plotë të viktimave dhe në asnjë mënyrë nuk i kanë vënë në pyetje faktet në lidhje me gjenocidin në Srebrenicë në vitin 1995”, thuhet në deklaratë.
Kjo deklaratë vjen pasi në takimin që kishte para disa ditësh me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Varhelyi e ka përmendur edhe rezolutën për gjenocid në Srebrenicë, për të cilën planifikohet të diskutohet në Kombet e Bashkuara.
“Nuk pajtohem aspak me stigmatizimin e popullit serb kur është fjala për rezolutën për Srebrenicën. Faji kolektiv dhe ndëshkimi kolektiv nuk kanë qenë asnjëherë pjesë e vlerave tona. Mirëpo, fajtorët duhet të mbajnë përgjegjësi për atë që kanë bërë”, ka thënë Varhelyi.
“Deklaratat e komisionerit sqaruan se autorët mbajnë përgjegjësi të plotë dhe të vetme për krimet që kanë kryer. Çdo nocion i fajit kolektiv ose përgjegjësisë kolektive të një kombi të tërë është i papranueshëm dhe kundër normave të pranuara ndërkombëtarisht”, thuhet në deklaratë.
(Kosova Sot Online)