Zyrtarët në Serbi kanë dënuar aksionin e Policisë së Kosovës

  • A.P /
  • 20 May 2024 - 19:00
Zyrtarët në Serbi kanë dënuar aksionin e Policisë së Kosovës

Aksionin e Policisë së Kosovës ndaj objekteve të Bankës Postare Kursimore të Serbisë në Kosovë, e kanë dënuar zyrtarët në Serbi, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Gjatë aksionit të 20 majit, Policia e Kosovës tha se mbylli gjashtë objekte të Banës Postare Kursimore, pasi sipas saj, ato vepronin paligjshëm në veri të vendit.

Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, e cilësoi aksionin si “akt barbar që drejtpërdrejt kërcënon mbijetesën e popullit serb” në Kosovë.

“Kujt dhe pse po iu pengon Banka Postare Kursimore? Për shkak të çekut. Serbët në Kosovë janë komuniteti i vetëm në Evropë që nuk mund të operojnë normalisht. A kanë të drejtë ata që të kenë paga dhe pensione? Apo asgjë nuk iu lejohet”, tha Vuçeviq, sipas një njoftimi të Qeverisë serbe.

Në njoftim u tha se këto pyetje nuk i janë drejtuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, por komunitetit ndërkombëtar.

Ndërkaq, ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, në reagimin e tij për këtë aksion, tha se kryeministri Kurti vazhdon “me terror ndaj popullit serb” në Kosovë, duke kryer “bastisje në degët e Bankës Postare Kursimore”.

Ai shtoi se “kjo çon në konflikte të reja në Ballkan, me pasoja të pallogaritshme”.

Për aksionit e 20 majit reagoi edhe Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe. Kjo zyre pretendoi se gjatë aksionit, Policia e Kosovës ka “keqtrajtuar” punonjësit e institucioneve serbe.

“Është shqetësues fakti që pjesëtarët e EULEX-it dhe KFOR-it ishin vëzhgues të heshtur të aksionit të sotëm të paligjshëm dhe të dhunshëm në veri të Kosovës. U bëjmë thirrje përfaqësuesve ndërkombëtarë që urgjentisht të ndalojnë Kurtin dhe të mbrojnë paqen dhe popullin serb në Kosovë”, u tha në reagim.

(Kosova Sot Online)