Vjen reagimi nga Qeveria: Asociacioni s’është menduar asnjëherë si ombrellë
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, i ka reaguar Bashkimit Evropian duke thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk është menduar asnjëherë si ombrellë për legalizimin e strukturave ilegale të Serbisë në Kosovë, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
“Sugjerimi i EEAS në deklaratën e saj sot – që strukturat ilegale në Kosovë duhet të trajtohen dhe të zgjidhen në lidhje me ASMM – është një paraqitje ç’orientuese e asaj që ASMM ishte menduar ndonjëherë të ishte. Së pari, nuk është një ombrellë për legalizimin e strukturave të krijuara në mënyrë të paligjshme dhe të njëanshme”, ka shkruar Kryeziu në “X”.
Ai ka shtuar se takimet e fundit në Bruksel për “dinarin” kanë dështuar për shkak të qëndrimit të Serbisë që sipas Kryeziut bie ndesh me propozimin e BE’së.
Kryeziu ka thënë se sundimi i ligjit nuk duhet të perceptohet si shkelje përshkallëzuese.
“Për më tepër, sundimi i ligjit nuk duhet të perceptohet si sjellje përshkallëzuese. Është ironike që BE-ja të reagojë kundër veprimeve që janë në përputhje me sundimin e ligjit, kur misioni më i madh civil i BE-së quhet Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).”
(Kosova Sot Online)