Inaugurohet objekti i Ambasadës së Kosovës në Washington
Në ceremoninë e inaugurimit të objektit të Ambasadës së Kosovës në Washington ka marrë pjesë edhe ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Sipas njoftimit që ka lëshuar Ministria e Punëve të Jashtme, O’Brien ka deklaruar gjatë ceremonisë se SHBA’ja ka qenë dhe do të jetë gjithmonë një mik dhe partner i përkushtuar për Kosovën.
Ai ka thënë se vendosja e ambasadës pranë vendit ku kishte filluar karrierën e saj, do ta gëzonte pa masë ish-sekretaren e shtetit, Madeleine Albright.
“Zemra e saj do të shpërthente nga gëzimi kur të shihte kështu Kosovën, për të cilën gjithmonë thoshte se ishte gjëja për të cilën ishte më së shumti krenare”, citohet të ketë thënë O’Brien.
Ndërkohë, Kryediplomatja Donika Gërvalla ka thënë se inaugurimi i kësaj ambasade është një mesazh i fuqishëm, duke shtuar se Kosova është shteti më pro amerikan në botë
“Ky angazhim i miqve tanë shpëtoi më shumë se 100,000 jetë njerëzish në Kosovë dhe solli një të ardhme të ndryshme për të gjithë rajonin tonë. Kosova është shteti më pro amerikan në botë dhe prandaj kjo ambasadë që po inaugurojmë sot është jo vetëm një objekt, por një mesazh i fuqishëm”, ka deklaruar Gërvalla.
(Kosova Sot Online)