
Konjufca: NATO është destin i Kosovës

Kryeparlamentari, Glauk Konjufca, i ka uruar qytetarët pasi Asambleja Parlamentare e NATO-s e miratoi rekomandimin për avancim të statusit të Kosovës nga anëtare vëzhguese në anëtare të asocuar, përcjell “Kosova Sot Online”.
Konjufca ka shkruar se Republika e Kosovës është një histori suksesi e NATO-s, e interesave dhe qëllimeve të tij.
Njoftimi i plotë:
Vendim i shkëlqyer i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që Kuvendit të Republikës së Kosovës i jep statusin e anëtarit të asociuar në AP të NATO-s.
Urime të gjithë qytetarëve tanë dhe mirënjohje të gjithë anëtarëve të AP të NATO-s, që me votën e tyre e jetësuan këtë arritje shumë të rëndësishme!
Një falënderim i veçantë shkon edhe për Delegacionin e Kuvendit të Republikës së Kosovës në AP të NATO-s! Përpjekja dhe angazhimi maksimal i këtij delegacioni u finalizua me këtë sukses të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe shtetit tonë në tërësi.
Republika e Kosovës është një histori suksesi e NATO-s, e interesave dhe qëllimeve të tij, ndërsa NATO është destin i Kosovës. Hapat në këtë frymë na gëzojnë dhe na e shtojnë më tej përgjegjësinë dhe përkushtimin në drejtim të paqes dhe stabilitetit, vlerave dhe synimeve të përbashkëta.
(Kosova Sot Online)