Dodik rrëshqet në krahët e Putinit
Republika Srpska në BeH, po planifikon të miratojë një ligj për “agjentët e huaj” sipas modelit të Rusisë, i cili në çdo vend ku u miratua shkaktoi turbulenca, kundërshtime të ashpra nga sektori joqeveritar dhe organizatat ndërkombëtare, madje edhe demonstrata, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Në ligjet e saj, Moska i karakterizon përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe sektorit joqeveritar që financohen nga jashtë si “agjentë të huaj” dhe e përdor këtë etiketë për të shtypur mediat e pavarura dhe për të eliminuar kundërshtarët politikë.
Ndikimi i këtyre ligjeve shtrihet përtej kufijve të Rusisë.
Në Gjeorgji dhe Kirgistan, ish-republikat sovjetike, ligje që synonin frenimin e ndikimit të organizatave joqeveritare u miratuan në dy muajt e fundit.
Në Kaukaz, në Gjeorgji, pas një përpjekjeje të dështuar vitin e kaluar, partia në pushtet miratoi përsëri ligjin në mes të majit, megjithëse gjeorgjianët kanë protestuar prej javësh.
Në vendin e Azisë Qendrore, Kirgistan, Presidenti Sadyr Japarov nënshkroi ligjin në fillim të prillit dhe ai hyri në fuqi.
Edhe Bashkimi Evropian nuk është i kursyer nga këto metoda jodemokratike, ndaj në Hungari tashmë është në fuqi ligji për mbrojtjen e sovranitetit dhe një zgjidhje e ngjashme po planifikohet edhe në Sllovakinë fqinje.
Në vitin 2012, Rusia miratoi ndryshime ligjore në të cilat shfaqet termi “agjent i huaj”, sipas të cilit organizatat jofitimprurëse mund të karakterizohen si të tilla nëse marrin fonde nga jashtë dhe përpiqen të ndikojnë në vendimmarrësit politikë dhe opinionin publik.
(Kosova Sot Online)