Lexoni edhe:
Franca dhe Gjermania dalin me vendim
Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, mbrojtësi i këtij të fundit, avokati Aiden Ellis, tha se kanë dëgjuar një dëshmitar së fundi të thoshte se i kujtohet që presidenti Ibrahim Rugova ka thënë në media që Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) ishte “lojë serbe”.
“Kemi dëgjuar një dëshmitar të thoshte që i kujtohet që Rugova është cituar të thoshte që UÇK-ja ishte një lojë serbe”, tha Ellisi, transmeton "Kosova Sot Online ".
Franca dhe Gjermania dalin me vendimLexoni edhe:
Por, diplomati austriak Jan Kickert, i cili po e vazhdon dëshminë edhe të mërkurën në Hagë, tha se nuk i kujtohet një gjë e tillë.
Avokati Ellis, i cili po vazhdon ta marrë në pyetje Kickert, u fokusua në verën e vitit 1998 kur si pjesë e diplomacisë së jashtme dëshmitari po bënte përpjekje për të kontaktuar me përfaqësuesit e UÇK-së për të formuar një platformë të shqiptarëve të Kosovë që të përfshiheshin në negociata.
Ellisi tha se ka pasur deklarata nga anëtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës që thoshin se UÇK-ja ishte “pjesë e ushtrisë serbe”.
“Ka pasur deklaratë nga LDK-ja nga disa anëtarë të LDK-së që thoshin se UÇK-ja nuk ekzistonte si pjesë ose ishte pjesë e ushtrisë serbe mbase”, tha Ellisi.
Pas kësaj, dëshmitari tha se ka pasur mundësi që të ekzistonin fjalë të tilla pasi që në popullatën shqiptare ekzistonte frika e humbjes së monopolit politik që kishte LDK-ja.
“Jo që nuk ekzistonte se nuk më kujtohet kjo, por siç jam përpjekur të shpjegoj edhe dje, kishte një lloj loje politike në qoftë se mund të thosha kështu dhe kishte një lloj qasje që në popullatën shqiptare ekzistonte frika e humbjes së monopolit politik që e kishte LDK-ja dhe prandaj mund të qarkullonin fjalë të tjera”, tha dëshmitari.
Përpara kësaj, dëshmitari tha se disa nga anëtarët e LDK-së e mohonin ekzistencën e UÇK-së.
“Disa nga anëtarët e LDK-së e mohonin ekzistencën e UÇK-së, kjo është e vërtetë”, tha dëshmitari.
Diplomati austriak tha se nga mesi i 1998-ës e kishte kuptuar se Jakup Krasniqi kishte pozitën e zëdhënësit të UÇK-së. Ndërsa, para se të caktohet ai, dëshmitari tha se në këtë pozitë ka qenë Bardhyl Mahmuti.
“Ka qenë Bardhyl Mahmuti, ka qenë një zëdhënës që punonte në Gjenevë, por gjithsesi nuk besoj që ka raportuar ai ndonjëherë përpara grupit të kontaktit”, tha dëshmitari, përcjell BetimipërDrejtësi.
Dëshmitari pohoi se Ramë Buja dhe Jakup Krasniqi kanë qenë zyrtarë të LDK-së përpara se t’iu kyçeshin UÇK-së. Ndërsa, në takimin që kishte pasur me të akuzuarin, ish-diplomati austriak tha se u prezantua me emër.
“Zotëri Krasniqi nuk kishte nofkë dhe thjesht ne po spekulonim se çfarë numri mund të kishte ai”, tha Kickerti.
Megjithatë, dëshmitari tha se në atë takim që kishte pasur me Krasniqin dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së, nuk besonte se tashmë i akuzuari mund të merrte vendime.
Në shënimet që kishte nxjerrë dëshmitari nga takimi me Jakup Krasniqin dhe të tjerët, ai kishte shkruar se dikush i kishte thënë ‘asnjëherë mos e pranoni listën e Milazim Krasniqit për t’u diskutuar’.
Për këtë, dëshmitari tha se UÇK-ja po e mohonte faktin që Milazim Krasniqi të ishte drejtues i platformës shqiptare në Kosovë, pasi ai konsiderohej si afërt me Rugovën.
“Po, UÇK-ja përmes bashkëbiseduesve tanë, po e mohonin faktin që Milazim Krasniqi do të ishte drejtuesi i kësaj platforme në Kosovë sepse ai konsiderohej si shumë i afërt me Rugovën”, tha ai.
Diplomati austriak shtoi se për këtë gjë kishte folur Jakup Krasniqi, por pa i përjashtuar edhe të tjerët.
“Me sa më kujtohet mua, për të folur ka folur Jakup Krasniqit. Ai ka qenë zëdhënësi. Nuk mund të them me përqindje se kush ka folur dhe sa për qind të takimit, por Jakup Krasniqi ka qenë një prej folëseve në këtë takim”, tha ai.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.
(Kosova Sot Online )