
Rohde dhe Guerot janë deklaruar rreth hapjes së urës së Ibrit në Mitrovicë

Rreth hapjes së urës së Ibrit që ndan Mitrovicën e Jugut me atë të veriut, janë deklaruar së fundmi ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde dhe ambasadori i Francës, Olivier Guerot, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
“Simbolika e kësaj ure që e shohim në anën e majtë dhe të djathtë, shoh polic dhe postblloqe. Pra shihet që ka detyra shtëpie që duhet të kryhen dhe kjo urë duhet që t’I lidh njerëzit dhe jo t’i ndajë njerëzit sepse urat janë për t’i lidhur njerëzit”, tha Rohde.
Rohde përmendi edhe vizitën e ministres së jashtme të Gjermanisë tek ura e Ibrit para dy vitesh. Ai tha se ka pasur premtime që kjo urë të hapet edhe atëherë.
“Urat pra lidhin njerëz. Politikanët, shoqëria pra duhet të punojnë shumë që njerëzit në Mitrovicë të veriut dhe në atë të jugut thjeshtë të mund ta gëzojnë qytetin, ashtu siç kemi bërë në të kaluarën dhe ministrja ime e jashtme ka qenë para dy vitesh këtu , ka biseduar me kryetarët e komunave dhe janë lidhur ato premtimet, por nuk janë hequr ende postblloqet. Këtë duhet ta bëjnë politikanët dhe të punojnë në këtë drejtim”, tha ai.
Ndërsa, ambasadori i Francës, Olivier Guerot tha se ka dëshirë që mbi urën e Ibrit të ketë kafiteri dhe më shumë lule.
“Për sa i përket kësaj ure, trupat franceze në një moment të caktuar i ka ndalur ekstremistët nga të dyja anët , duke mos i lejuar që të dalin në anën tjetër dhe për t’u siguruar që situata të mos përkeqësohet dhe shumë nga ushtarët tanë janë plagosur në ato operacione më parë. Duhet të shohim pak nga e ardhmja. Ajo që shoh unë, kemi një pjesë këmbësore këtu, pastaj edhe ura që është për këmbësor nga të gjitha anët. Thjesht dua që të shoh më shumë kafiteri ose lule dhe t’i ndërlidhim këto dy zona të vogla të këmbësorëve në mënyrën më paqësore të mundshme dhe besoj që ky të jetë destinimi përfundimtar i urës”, tha Guerot.
(Kosova Sot Online)