Prokuroria aktakuzë ndaj dy grave: Punonin në objektin ngjitur me policinë derisa paguheshin nga Serbia
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj dy grave të cilat i akuzon se kanë ushtruar veprimtari të kundërligjshme në objektin ngjitur me stacionit qendror të Policisë së Kosovës në Prishtinë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Të pandehurat N.P. dhe E.I. ngarkohen për kryerjen e veprave penale ‘’Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike” dhe “Prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore”.
Ato janë paraqitur si anëtare të një OJQ-je dhe si mjeke, sipas Prokurorisë Speciale, që thotë se ato “kanë ofruar shërbime dhe trajtime mjekësore për qytetarët e Kosovës, pa qenë të licencuara dhe të autorizuara”.
Për këto shërbime, Prokuroria Speciale thotë se ato “kanë pranuar pagesa të rregullta mujore nga autoritetet e shtetit të Serbisë, në shumën deri 1,700.00 euro”.
“Po ashtu, me datë, kohë dhe vend të njëjtë, pas zbatimit të urdhër kontrollit nga ana e Policisë së Kosovës, të pandehurave të lartcekura, u janë gjetur në posedim barëra e produkte mjekësore pa banderola të Republikës së Kosovës dhe pa prejardhje, duke iu shërbyer qytetarëve të Kosovës, pa ju bërë kontrolle të nevojshme nga personi apo institucioni i autorizuar, çka me këtë kanë rrezikuar jetën dhe shëndetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Prokurori i Shtetit i ka propozuar gjykatës që të pandehurat të shpallen fajtore dhe të dënohen sipas ligjit për këto veprat penale të cilat dhe që “barnat dhe produktet mjekësore të konfiskohen dhe të njëjtat të asgjësohen sipas procedurës së paraparë ligjore”.
(Kosova Sot Online)